BDI: Ministrja Janevska sulmon Badenterin dhe Marrëveshjen e Ohrit

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) ka reaguar ndaj deklaratës së ministres së Arsimit, Vesna Janevska, duke e vlerësuar atë si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj njërit prej shtyllave themelore të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit.

Nga BDI thonë se Janevska e ka cilësuar mekanizmin e Badenterit si një “mjet” dhe ka kërkuar që ai të mos zbatohet në rastet kur, sipas saj dhe Qeverisë, nuk është i nevojshëm.

Sipas BDI-së, Kushtetuta nuk i jep askujt të drejtën të vendosë në mënyrë selektive për zbatimin e Badenterit. BDI thekson se Amendamenti X kërkon shumicë të dyfishtë për ligjet që prekin arsimin dhe se zbatimi i këtij mekanizmi nuk mund të varet nga vlerësimet personale të një ministri.

BDI shpreh shqetësim edhe për, siç thuhet, përdorimin e termit “bashkësi e vogël” për shqiptarët, duke theksuar se shqiptarët janë popull shtetformues dhe pjesë thelbësore e rendit kushtetues të dalë nga Marrëveshja e Ohrit.

“Badenteri është garanci kushtetuese që shumica numerike të mos vendosë e vetme për gjuhën, arsimin dhe identitetin e shqiptarëve. Kërkesa për zbatim selektiv nënkupton zhvlerësimin e plotë të tij”, thuhet në reagimin e BDI-së.

BDI vlerëson se kjo situatë është pasojë e, siç pretendohet, mungesës së legjitimitetit dhe paaftësisë së përfaqësuesve shqiptarë në Qeveri, duke shtuar se heshtja e tyre po mundëson deklarata që, sipas BDI-së, fyejnë dhe nënçmojnë shqiptarët.

BDI kërkon që ministrja Janevska të kërkojë falje publike dhe të tërheqë deklaratën e saj, ndërsa thekson se ligjet në fushën e arsimit duhet të miratohen në përputhje me Kushtetutën dhe me mekanizmin e Badenterit. përcjell Zhurnal.mk .