Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për dialog politik ndërmjet subjekteve parlamentare, duke vlerësuar se vendi duhet të gjejë një zgjidhje për çështjen e Presidentit përpara se të shkojë sërish në zgjedhje. Haxhiu, përmes një postimi, ka thënë se tri procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultate të përafërta dëshmojnë se pa dialog politik nuk mund të ketë zgjidhje për situatën aktuale.
“Tre procese të njëpasnjëshme zgjedhore me rezultat të përafërt janë dëshmi e bollshme që pa dialogim politik, veçanërisht për çështjen e Presidentit, nuk ka zgjidhje për ecje përpara”, ka shkruar ajo.
Sipas Haxhiut, çështja e Presidentit, ndonëse formalisht paraqet një hap të mëvonshëm në procesin institucional, në rrethanat aktuale duhet të jetë pika e parë nga e cila duhet nisur dialogu.
“Është evidente që pa marrëveshje për të i çelet rrugë një procesi të ri zgjedhor, që praktikisht nuk do të sjellë asgjë të re. Aq më pak zgjidhje”, ka deklaruar Haxhiu.



