Arrestohen dy veta për zjarrvënie

Policia në Manastir dhe Prilep ka arrestuar dy persona, të cilët janë kapur në flagrancë duke shkaktuar zjarre në hapësira të hapura, njofton Ministria e Punëve të Brendshme, transmeton Portalb.mk.

Më 14 gusht, në ora 21:15, zyrtarët policorë të SPB Manastir, në rrugën “Jorgo Kostovski”, në vendin e quajtur “Tepsija” në Manastir, kanë arrestuar E.K. (39) nga Manastiri. Ai është kapur duke shkaktuar zjarr në hapësirë të hapur. Një ditë më parë, më 13 gusht, në ora 23:10, zyrtarët policorë të DPB Prilep, në vendin e quajtur “Padarica” në Prilep, kanë arrestuar I.Ç. nga Prilepi. Edhe ai është kapur duke shkaktuar zjarr në hapësirë të hapur, ndërsa gjatë kontrollit tek ai është gjetur edhe një çakmak.

Nga MPB-ja njoftojnë se, pas dokumentimit të plotë të rasteve, ndaj të dy personave do të ngrihet kallëzim përkatës.