Një aksion i koordinuar ndërkombëtar kundër një grupi të organizuar kriminal është duke u zhvilluar në bashkëpunim mes autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, Kosovës dhe Greqisë.
Ministria e Punëve të Brendshme, përmes Departamentit të Policisë Kriminalistike, në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, si dhe me shërbimet kompetente të Kosovës dhe Greqisë, po zhvillon hetime lidhur me trafikun e paligjshëm të drogës.
Si rezultat i hetimit disa-mujor, sot në Selanik janë arrestuar një shtetas i Maqedonisë dhe një i Kosovës.
Gjatë kontrollit të një automjeti transportues, në rimorkion e tij janë gjetur dhe sekuestruar 324 kilogramë marihuanë. Droga ishte fshehur në tetë paleta me letër.
Në kuadër të aksionit, Departamenti i Policisë Kriminalistike, së bashku me disa sektorë për punë të brendshme, po zhvillon bastisje në disa lokacione në territorin e vendit.
Bastisjet po realizohen me qëllim të identifikimit dhe arrestimit të personave të tjerë që mund të jenë të përfshirë në grupin kriminal, si dhe për sigurimin e provave dhe sendeve të tjera që lidhen me veprën penale.
Hetimet dhe aksioni i përbashkët ndërkombëtar janë ende në vazhdim
.



