Gjigandi gjerman i supermarketeve LiDL, do të investojë 105 milionë euro në Shqipëri për ndërtimin e një qendre logjistike, e cila do të shërbejë si objekt kryesor për magazinimin e produkteve me shumicë.
Projekti madhor do të zhvillohet në një sipërfaqe prej 200 mijë metrash katrorë në Porto Romano.
Komiteti i Investimeve Strategjike ka miratuar statusin “Investitor Strategjik” për projektin “LiDL – Shqipëria Qendër Logjistike” dhe i ka vendosur kompanisë gjermane në dispozicion tokën e kërkuar me qira afatgjatë.
Produktet e magazinuara synojnë të furnizojnë si tregun shqiptar, duke lehtësuar grumbullimin, mirëmbajtjen dhe shpërndarjen e produkteve vendase, ashtu si dhe promovimin dhe eksportin e jashtëm të këtyre produkteve.
LiDL synon gjithashtu të operojë në tregun shqiptar duke krijuar operacione të shitjes me pakicë përmes një rrjeti të gjerë supermarketesh. Projekti i investimit i plotëson kriteret e punësimit të kërkuara nga legjislacioni për investimet strategjike dhe parashikon të punësojë rreth 2500 persona.
“LiDL” njihet për shumë produkte të mira gjermane dhe çmime të ulëta, ku pritet të shkaktojë tronditje në rrjetin e supermarketeve në Shqipëri..



