Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’u drejtohet sërish partive opozitare në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.
Këtë e ka bërë të ditur zëvendësi i tij, Glauk Konjufca.
“Kurrë nuk duhet të lodhemi nga dialogu politik. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e institucioneve tona. Edhe PDK-së, edhe LDK-së, edhe Aleancës do t’u drejtohet Kurti”, deklaroi Konjufca para mediave.
Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka pyetur Aleancën nëse ka ndryshuar qëndrim për mos t’u takuar me Kurtin.
Sekretari i përgjithshëm i partisë, Avni Arifi, konfirmoi për Gazeta Blic se nuk ka ndryshim të qëndrimit dhe se nuk do të ketë takim me Kurtin.
“Asgjë nuk ka ndryshuar. Aleanca e ka një qëndrim prej qershorit. Nuk do të befasojmë askënd me ndonjë qëndrim tjetër”, deklaroi ai.
Gazeta Blic ka pyetur edhe PDK-në nëse ka ndryshuar qëndrim, por nuk janë përgjigjur nga partia, e as LDK nuk ka dhënë përgjigje nëse pritet të ketë takim së shpejti mes Kurtit e Abdixhikut./Gazeta Blic/



