LSDM: Maqedonia do të detyrohet të importojë energji për nevojat e veta

LSDM ka reaguar ndaj politikave të Qeverisë për ndërtimin e “data qendrave” , duke akuzuar pushtetin se po i shtyjnë këto investime pavarësisht mungesës së ujit dhe energjisë elektrike, ndërsa paralajmëroi se Maqedonia e Veriut do të detyrohet të importojë energji për nevojat e tyre. Nga LSDM pretendojnë se qendrat e të dhënave do të rrisin presionin mbi burimet ujore dhe energjetike dhe mund të çojnë në rritjen e faturave për qytetarët.

“Një qendër e madhe e të dhënave konsumon nga 1 deri në 3 milionë litra ujë në ditë, aq sa konsumon një qytet me 15.000 deri në 30.000 banorë. Infrastruktura jonë nuk mund ta përballojë këtë dhe kjo paraqet rrezik për kufizime të ujit dhe rritje të çmimit të energjisë elektrike. E pamë se çfarë po ndodh edhe me ujin, qeveria e Mickoskit nuk mund të sigurojë mjaftueshëm ujë të pastër për pije, e jo më shumë”, tha Keti Shterjova nga LSDM.

VMRO-DPMNE u përgjigj duke akuzuar opozitën për “gënjeshtra dhe përhapje të frikës”, ndërsa theksoi se LSDM-ja po i përzien qendrat e mëdha komerciale të të dhënave me Qendrën Kombëtare të të Dhënave, të cilën Qeveria planifikon ta ndërtojë për nevojat e shtetit dhe qytetarëve.

“Qëllimi i Qendrës Kombëtare të të Dhënave është që, në një vend modern, shumë të mbrojtur dhe energjetikisht efikas, të ruhen të dhënat që tani janë të shpërndara nëpër qendra të ndryshme të të dhënave dhe funksionojnë me standarde të ndryshme të sigurisë. Me këtë, shteti kursen dhe përfiton infrastrukturë të centralizuar me standarde dukshëm më të larta të sigurisë, ndërsa mjetet planifikon të sigurohen në formën e granteve dhe, shtesë, me financim të favorshëm nga partnerët ndërkombëtarë”, thonë nga VMRO-DPMNE.

VMRO-DPMNE thotë se rezultatet e transformimit digjital mbështeten në raportin e Komisionit Evropian për vitin 2025, por socialdemkoratët thonë se nuk janë kundër digjitalizimit, por kundërshtojnë rrezikimin e ujit dhe energjisë, sipas tyre, për interesa biznesore.