Plotë 53 here dështuan deputetët e legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për të konstituar Kuvendin e Kosovës. Arsyeja e dështimit ishte çështja e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje asokohe insistonte në emrin e Albulena Haxhiut, por s’kishte numra të mjaftueshme për ta zgjidhur në krye të Kuvendit. Partitë opozitare në anën tjetër ishin kundër që kryekuvendari të jetë një emër nga kabineti i Qeverisë Kurti 2.
Pas shumë përpjekjeve, LVV-ja ndryshoi emrin. Njëherë propozoi Hekuran Muratin pastaj Donika Gërvallën. Që të dy emrat nuk i morën votat e nevojshme.
Më 26 gusht, LVV-ja hoqi dorë nga emrat e lartcekur. Kështu Dimal Basha u zgjodh kryetar i Kuvendit. Bashën për kryekuvendar e votuan edhe deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe një pjese të pakicave. Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lista Serbe votuan kundër.
Në këtë vendim ndikoi edhe një aktgjykim i Gjykatës Kushtetuese që urdhëroi Kuvendin që, brenda 30 ditësh, ta zgjedhë kryetarin e ri të Kuvendit përmes votimit të hapur, duke përcaktuar se i njëjti kandidat nuk mund të hidhej në votim më shumë se tri herë.
Nga 15 prilli deri më 26 gusht, Kosova çdo të dytën ditë përjetoi një nga periudhat më të errëta – për të mos thënë tragjikomike – në historinë e saj politike.
Tash 1 vjet e gjysmë më pas – pas zgjedhjeve të treta parlamentare – mollë sherri duket se mbetet sërish karrigia e kryetarit të Kuvendit.
Pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare të 7 qershorit, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti dhe kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, u takuan për të disatën herë me radhë për te gjetur një gjuhë të përbashkët për formimin e institucioneve të reja.
Nga ajo çfarë u kuptua deri më tani, LDK-ja po kërkon postin e presidentit, ndërkohë LVV-ja po instiston në një president konsensual, ndërsa i ka ofruar LDK-së postin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës.
“LDK s’ka apetit për kryetarin e Kuvendit, sepse është figurë ceremoniale e cila duhet të përfaqësojë propozimin e partisë së parë”, tha Abdixhiku.
Pra posti për të cilën më shumë se katër muaj vendi u bllokua, tashmë është çështje e pazarit politik.



