Skandali! Oborri i gjimnazit ‘Hasan Tahsini’ kthehet në parking publik

Vendimi i fundit i Këshillit Bashkiak të Sarandës për ndërtimin e një parkimi publik brenda territorit të gjimnazit “Hasan Tahsini” ka ndezur debat politik dhe reagime të forta në opinionin publik. Propozimi është miratuar në mbledhjen e 4 gushtit vetëm me votat e këshilltarëve të mazhorancës, ndërsa një pjesë e opozitës braktisi sallën në shenjë kundërshtimi.

Për t’i hapur rrugë projektit, Këshilli ka miratuar edhe kalimin në pronësi të Bashkisë të sipërfaqes ku parashikohet ndërtimi i parkimit. Kjo hapësirë administrohej prej kohësh nga bashkia, por tashmë synohet të transformohet në një infrastrukturë publike për parkimin e automjeteve.

Sipas relacionit shoqërues, ndërtimi i parkimit konsiderohet një investim me rëndësi të veçantë për qytetin bregdetar, i cili përballet vazhdimisht me mungesë të theksuar të vendeve të parkimit, sidomos gjatë sezonit turistik. Bashkia argumenton se projekti do të ndikojë në përmirësimin e menaxhimit të trafikut urban dhe do të krijojë një hapësirë të organizuar në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve publike.

“Një pjesë e sipërfaqes së kësaj pasurie është planifikuar për realizimin e një projekti publik parkimi, i cili synon të krijojë një hapësirë të organizuar parkimi në shërbim të qytetarëve dhe institucioneve publike. Ky investim merr një rëndësi të veçantë duke pasur parasysh problematikën e vazhdueshme të mungesës së vendeve të parkimeve. Ndërtimi i parkimit publik pritet të përmirësojë ndjeshëm menaxhimin e trafikut urban. Ky investim do të krijojë një infrastrukturë publike moderne në funksion të komunitetit, duke shërbyer jo vetëm për nevojat e institucionit arsimor, por edhe për banorët dhe vizitorët e zonës”, thuhet në relacion.

Megjithatë, vendimi ka hasur kundërshti të menjëhershme nga Partia Demokratike. Deputetja Ina Zhupa e ka cilësuar projektin si një ndërhyrje të gabuar, duke theksuar se komuniteti arsimor kishte kërkuar prej kohësh që zona në pjesën e pasme të gjimnazit të shndërrohej në ambiente sportive dhe rekreative, jo në parkim për automjete.

Sipas saj, ndërtimi i një parkimi pranë një institucioni arsimor rrit ndjeshëm rrezikun për nxënësit për shkak të shtimit të qarkullimit të mjeteve, si dhe ndikon negativisht në cilësinë e mjedisit përreth, duke shtuar zhurmën dhe ndotjen e ajrit. Ajo argumenton se praktikat bashkëkohore të planifikimit urban synojnë kufizimin e trafikut pranë shkollave dhe krijimin e hapësirave të sigurta, të gjelbra dhe funksionale për fëmijët.

Në deklaratën e saj, Zhupa i bën thirrje Bashkisë së Sarandës të rishqyrtojë projektin dhe të investojë në zgjidhje alternative për parkimet publike, në përputhje me një plan të mirëfilltë urbanistik.

“Standardet e planifikimit të shkollave synojnë pikërisht të kundërtën: më pak makina pranë ambienteve arsimore, më shumë hapësira të gjelbra, sportive dhe të sigurta për nxënësit. Bashkitë e përgjegjshme krijojnë zona të mbrojtura rreth shkollave, kufizojnë qarkullimin e automjeteve dhe investojnë në mjedise që nxisin aktivitetin fizik dhe socializimin, jo në shtimin e trafikut.

Një parking publik pranë gjimnazit do të thotë më shumë hyrje e dalje automjetesh, më shumë rrezik për nxënësit, më shumë zhurmë, ndotje të ajrit dhe një mjedis më pak dinjitoz për një institucion arsimor. Oborri i shkollës nuk është një truall rezervë për të mbuluar mungesën e vizionit të bashkisë Sarandë.

Saranda sigurisht që ka nevojë për parkingje publike. Këtë e kemi kërkuar vazhdimisht, sepse mungesa e tyre është pasojë e mungesës së planifikimit urban. Por ato duhet të ndërtohen në hapësira të projektuara për këtë qëllim, përmes një plani serioz urbanistik. Kur mungon vizioni, sakrifikohen shkollat. Nuk ndërtohet një qytet europian duke sakrifikuar hapësirat e shkollave. Përkundrazi, qytetet europiane si pretendojmë te bëhemi investojnë që shkollat të kenë më shumë ambiente sportive, më shumë gjelbërim dhe më shumë siguri”, shkruan Zhupa.

Ndërkohë, në dokumentet zyrtare nuk specifikohet sipërfaqja e saktë që do të zërë parkimi, por bëhet e ditur se ai do të ndërtohet në pjesën e pasme të territorit të shkollës.

Aktualisht, Saranda vijon të vuajë mungesën e një parkimi publik të madh dhe të organizuar, duke bërë që qytetarët dhe turistët të përdorin hapësira anësore rrugësh ose parkime private, shpesh me kapacitete të kufizuara.