Fuqia blerëse në Maqedoni është më e madhe se në shumë vende evropiane dhe në të gjitha vendet e rajonit, tha kryeministri Mickoski duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve për akuzat e opozitës se qytetarët po jetojnë më vështirë.
“U zhvillua një fushatë e cekët e cila përsëri u demantua dhe përsëri, supozoj se opozita dhe një pjesë e atyre mediave do të pendohen dhe do të jenë të zhgënjyer pse Maqedonia nuk është më e dobëta, por është shumë më mirë se disa vende të BE-së dhe nga të gjitha vendet e rajonit, kur bëhet fjalë për fuqinë blerëse të qytetarëve. Nëse kjo krahasohet me shifrat e para tre deri katër viteve, do të mund të vërehet një përparim i rëndësishëm”, tha Mickoski.
Ngjashëm si kryeministri, edhe guvernatori Trajko Sllaveski, përmes rrjeteve sociale dy ditë më parë deklaroi se vlera e pagës minimale bruto në Maqedoni, e matur sipas fuqisë blerëse në korrik 2026, është më e madhe se në shtatë vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe në të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor dhe Turqi.
“Prisni pak — a nuk e thashë këtë që në qershor të vitit të kaluar? Për linçimin publik për thënien e së vërtetës u përgjigja me kapacitet të lartë për absorbimin e urrejtjes”, theksoi Sllaveski.
Por, opozitarja LSDM ka qëndrimin e saj për këto të dhëna dhe qëndrimet e kryeministrit dhe guvernatorit.
“Guvernatori Sllaveski dhe Mickoski le ta marrin atë tabelë në të cilën Mickoski vizaton dhe le ta prezantojnë statistikën e tyre para njerëzve që nuk mund t’u sigurojnë as bukë fëmijëve të tyre, e pastaj le t’i ushqejnë me statistika. Populli nuk shikon statistika. Populli shikon frigoriferin dhe kuletën”, thonë nga LSDM.
Eurostat disa ditë më parë publikoi të dhënat më të reja për pagën minimale në shtetet e Bashkimit Evropian dhe në vendet kandidate. Sipas standardeve të fuqisë blerëse, përparimin më të madh në muajin korrik e kanë shënuar Maqedonia dhe Rumania, ku është regjistruar një rritje prej tetë vendeve, ndërsa pas tyre vjen Serbia me përparim prej pesë vendeve. Maqedonia, me 1.142 njësi të fuqisë blerëse, është renditur para Maltës, Sllovakisë, Hungarisë dhe Çekisë. Sipas së njëjtës analizë, nga janari deri në korrik 2026, Maqedonia ka shënuar rritjen më të madhe të pagës minimale ndër vendet e analizuara, me 6,9 për qind.



