Kurthet nuk ndërtojnë shtet, e dëmtojnë atë!

Shkruan: Zudi Xhelili

Kundërshtarët politik, vazhdimisht përpiqen ta ndalin suksesin e tjetrit me shpifje, tradhti dhe përçarje.

Por historia ka dëshmuar se asnjë shtet nuk ndërtohet mbi komplote.
Ai ndërtohet mbi besimin e qytetarëve, unitetin dhe përgjegjësinë.

Edhe sot jemi dëshmitarë të një përplasjeje të ashpër politike mes pushtetit dhe opozitës. Është krejt normale që palët të kenë dallime, ta kritikojnë njëra-tjetrën dhe të garojnë me programe e ide.
Por kur politika shndërrohet në betejë për diskreditim, manipulim dhe përfitim nga çdo krizë, humbësi më i madh është qytetari.

Kriza e ujit të pijshëm në Gostivar, por edhe sfidat me furnizimin me ujë në qytete të tjera, nuk duhet të shndërrohen në armë politike. Uji nuk njeh parti, nuk njeh pushtet e opozitë. Uji është një e drejtë themelore dhe një çështje e shëndetit publik.

Në momente të tilla, institucionet duhet të veprojnë me transparencë, profesionalizëm dhe përgjegjësi, ndërsa politika duhet të ndihmojë në zgjidhjen e problemit, jo në thellimin e tij. Zhvillimet e fundit kanë nxitur reagime të shumta publike dhe hetime lidhur me situatën e ujit në Gostivar. Në vend që të kontribuojë në qetësimin e situatës dhe në gjetjen e zgjidhjeve, LSDM po përpiqet ta shfrytëzojë këtë krizë për të fituar pikë politike në kuriz të tjerëve.

Kjo qasje mund të krijojë zhurmë për një kohë, por nuk sjell rezultate. Qytetarët kanë nevojë për ujë të sigurt, institucione funksionale dhe një politikë që konkurron me punë, rezultate dhe përgjegjësi, jo me frikë, propagandë apo përçarje.

Shtetet ecin përpara kur mbizotërojnë arsyeja, përgjegjësia dhe interesi publik. Kurthet mund të prodhojnë tituj për një ditë, por nuk ndërtojnë të ardhmen.