Në Butel po ndërtohet pa leje, a ka presion për t’u fshehur rasti?

Pa e zbuluar identitetin e tij person anonim përmes një emaili të dërguar në disa media njoftoi se punonjës në Komunën e Butelit ka dorëzuar kallëzim penal për ndërtim pa leje kundër prokurorit publik Xhelal Bajrami dhe një personi tjetër, Xhevat Bajrami.Denoncuesi kërkon reagim urgjent nga Prokuroria sepse thotë se në terren ka aktivitete të mëdha ndërtimore, që bëhen pa leje për ndërtim, transmeton Portalb.mk.

“Personat e denoncuar në cilësinë e investitorëve/bashkërealizuesve në parcelat kadastrale me numra: PK 1108/2, PK 534, PK 535, PK 536 dhe PK 537, të gjitha në KK Butel (Komuna e Butelit, Shkup), kanë filluar dhe në mënyrë aktive po kryejnë punime ndërtimore dhe po ndërtojnë objekt/objekte pa pasur për këtë Leje ndërtimi të plotfuqishme të lëshuar nga organi kompetent (Komuna e Butelit), gjë që është në kundërshtim të drejtpërdrejtë me Ligjin për Ndërtim. Pra, në parcelat e lartpërmendura në Komunën e Butelit të denoncuarit po ndërmarrin aktivitete të vëllimshme ndërtimore (ndërtim i objekti të ri/shtojcë/mbindërtim), të vetëdijshëm se nuk i kanë siguruar lejet e nevojshme ligjore, dokumentacionin planor urbanistik dhe lejen e ndërtimit. Me këto veprime të ndërmarra, personat e denoncuar në bashkëveprim i kanë përmbushur të gjitha elementet, objektive dhe subjektive të veprës penale ndërtim pa leje nga neni 244-a i Kodit Penal. Për shkak se për parcelat e lartpërmendura nuk është lëshuar leje ndërtimi, ndërsa veprimet në terren edhe më tej po vazhdojnë, është i domosdoshëm reagimi urgjent nga ana e Prokurorisë Publike dhe shërbimeve kompetente të inspektimit me qëllim të parandalimit të dëmit të mëtejshëm dhe uzurpimit“, thuhet në denoncim.

Në email pretendohet se denoncuesi si prova ka bashkangjitur edhe fotografi dhe video nga gjendja në terren, ndërsa Prokurorisë i tregon edhe se cilat prova mund t’i sigurojë sipas detyrës zyrtare. Ai akuzon edhe për presione nga prokurori Bajrami.

“Xhelal Bajrami duke e keqpërdorur pozitën dhe fuqinë e tij si prokuror publik në Prokurorinë Publike të RMV-së dhe ndikimin dhe lidhjet e tij edhe si ish-ministër dhe zëvendësministër, po ushtron presion të madh për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje përmes Vendimeve të Këshillit të Komunës së Butelit, Vendimeve të Kryetarit të Komunës së Butelit dhe përmes Procedurës Administrative para Gjykatës Administrative të RMV-së“, thuhet në denoncim.

Të pyetur nëse e kanë pranuar denoncimin dhe nëse janë duke i verifikuar pretendimet,nga Prokuroria Publike për 360 Shkallë  fillimisht njoftuan se çdo denoncim që e pranojnë edhe e verifikojnë, ndërkaq pritet sqarim për këtë rast.

Nga Komuna e Butelit për 360 Gradë thonë se në parcelat e lartpërmendura në kuadër të komunës kadastrale nuk kanë evidentuar ndërtime pa leje, por thanë se personi Xhevat Bajrami është menaxher i një kompanie ndaj së cilës kanë filluar procedurë inspektuese.

“Personi Xhevat Bajrami është menaxher i subjektit juridik për të cilin Komuna e Butelit ka filluar procedurë inspektuese për ndërtim pa leje në parcela kadastrale që janë në pronësi private. Procedura inspektuese është në vijim e sipër. Personi Xhelal Bajrami nuk ka dorëzuar kërkesë pranë Komunës së Butelit për legalizimin e objektit të ndërtuar pa leje dhe nuk kemi të dhëna se po ushtron presion përmes organeve të komunës“, thonë nga atje.

Duke pasur parasysh se nga Komuna thonë se në parcelat e lartpërmendura nuk po ndërtohet pa leje, ndërsa në të njëjtën kohë po zhvillohet procedurë inspektuese për ndërtim pa leje ndaj kompanisë së Xhevat Bajramit, mund të nënkuptojë edhe se denoncuesi ka bërë gabim, të qëllimshëm ose të paqëllimshëm  gjatë listimit të lokacioneve dhe veprimeve konkrete.

Prokurori Xhelal Bajrami për 360 Gradë tha se nuk është as ndërtues, as investitor, dhe se që kur ka lindur jeton në shtëpinë familjare në Kumanovë.

“Për më shumë se 20 vjet përveç avokatisë nuk kam asnjë pikë të përbashkët me ndonjë aktivitet tjetër afarist. Që kur e kam mbyllur zyrën e avokatisë jam në funksione të ndryshme dhe prandaj në mënyrë më kategorike i hedh poshtë akuzat e këtilla“, tha prokurori Bajrami dhe nuk komentoi më shumë.