Hodhi gabimisht në kosh biletën fituese prej 1 milion euro, punonjësit e pastrimit e gjejnë mes mbeturinave

Një person në Itali përjetoi një histori të jashtëzakonshme, pasi hodhi pa dashje në kosh një biletë fituese me vlerë 1 milion euro, por ajo u gjet pas një kërkimi dyditor nga punonjësit e pastrimit.

 

Ngjarja ndodhi në qytetin Bitonto, në jug të Italisë. Sipas mediave italiane, lojtari anonim kontrolloi biletën në një pikë shitjeje dhe duke menduar se nuk kishte fituar, e hodhi atë në kosh.

Vetëm pasi u kthye në shtëpi, një familjar i vuri në dukje se numrat që ai luante gjithmonë – 2, 4, 8, 10 dhe 51 ishin shpallur fitues. Në atë moment ai kuptoi se kishte bërë një gabim.

Familja u kthye menjëherë në dyqan, por bileta ishte mbledhur tashmë nga shërbimi i pastrimit.

Kjo çoi në një operacion kërkimi që zgjati dy ditë mes një sasie të madhe mbeturinash.

Drejtori i kompanisë së pastrimit, Roberto Nicola Toscano, tha për agjencinë italiane Ansa se historia është “asgjë më pak se një mrekulli”.

Sipas tij, keqkuptimi ndodhi mesazhi qw iu shfaq “nuk mund të paguhet”,  shfaqet edhe kur shuma e fituar është shumë e madhe për t’u paguar në pikën e shitjes dhe duhet të tërhiqet në një qendër të autorizuar.

Pas kërkimeve intensive, punonjësit arritën të gjenin biletën fituese, duke i rikthyer pronarit mundësinë për të tërhequr çmimin prej 1 milion eurosh.