Zelensky me apel për aleatët pas sulmit rus që la 17 të vdekur

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, ka fajësuar aleatët për vonesat në dërgimin e sistemeve të mbrojtjes ajrore, pasi Ukraina nuk arriti të rrëzonte asnjë raketë ruse gjatë një sulmi vdekjeprurës në orët e para të së mërkurës, nga i cili mbetën të vdekur të paktën 17 persona dhe të lënduar dhjetëra të tjerë.

“Raketat penguese kundër raketave balistike mund t’ua kishin shpëtuar jetën atyre që u vranë sot. Është shumë e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë se vonesat në furnizimin me këto sisteme, ose mungesa e gatishmërisë për të ofruar sisteme kundër raketave balistike, çojnë drejtpërdrejt në humbje kaq të tmerrshme jetësh dhe shkatërrime”, ka shkruar Zelensky në rrjetet sociale.

Prej muajsh, Kievi zyrtar po kërkon me ngulm më shumë raketa penguese Patriot, të prodhuara në SHBA, ndërsa përballet me sulme gjithnjë e më intensive. Muajin e kaluar, presidenti amerikan, Donald Trump, ka lënë të kuptohej se Shtetet e Bashkuara mund t’i jepnin Ukrainës një licencë për prodhimin e sistemeve Patriot, por më vonë u tërhoq pjesërisht nga kjo ide, duke u thënë gazetarëve se teknologjia bazë e këtyre sistemeve ishte “diçka që është e vështirë të jepet”.

Administrata ushtarake e Kievit ka njoftuar se shtatë objekte janë goditur në sulmin që ka nisur menjëherë pas mesnatës të së mërkurës. Sipas Zelenskyt, objektivat kryesore ishin magazina të bizneseve civile, përfshirë një fabrikë birre dhe depo të materialeve të ndërtimit.

“Partnerët që ende nuk janë të gatshëm të luajnë një rol më aktiv në furnizimin me raketa penguese mund të ndihmojnë duke vendosur sanksione të reja. Një pjesë e konsiderueshme e prodhimit rus të raketave balistike ende nuk është nën sanksione…Nevojiten hapa të rinj – nga G7, Bashkimi Evropian dhe të gjithë ata që mbështesin mbrojtjen e jetës”, ka shtuar Zelensky në X.

Kryetari i Kievit, Vitali Klitschko, ka thënë pas sulmit se “mund të ketë ende njerëz nën rrënoja”.