Fjalimi i hygosë në funeralin e Balzakut

Përktheu nga frëngjishtja Xhelal Zejneli

Më 18 gusht të viti 1850 vdiq në moshën 51-vjeçare shkrimtari francez Onore dë Balzak (Honoré de Balzac). Fjalimin e varrimit e mbajti Viktor Hygo (Victor Hugo, 1802-1885). Fjalimi i Hygos ishte tronditës. Ai tha se Balzaku ka qenë pjesë e brezit të fuqishëm të shkrimtarëve të shekullit XIX dhe se emri i tij do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e kombit.

Në përcjelljen e kirurgut dhe neuropsikiatrit të shoqërisë franceze të gjysmës së parë të shekullit XIX që shkruante edhe nga 15 orë në ditë, morën pjesë një numër i madh i respektuesve të tij, artistë dhe burra shteti. Fjalim mbi varr mbajti shoku i tij i madh dhe rivali letrar Viktor Hygo. Në varrim mori pjesë edhe shkrimtari Aleksandër Dyma, biri (Alexandre Dumas, fils; 1824-1895), autor i romanit “Zonja me kamelie” (La Dame aux Camelias, 1848). Të pranishëm në varrim ishin edhe shumë persona të shquar të elitës letrare franceze.

Autori i “Komedisë njerëzore” (La Ccomédie humaine) u varros në varrezat Père-Lachaise në Paris. Nuk dihet saktë numri i pjesëmarrësve në varrim, por burimet historike dhe dëshmitë e kohës thonë: “Në varrim mori pjesë një masë e madhe njerëzish (“immense foule”)”. Ka burime që thonë se në përcjelljen e gjeniut të letrave ishin të pranishëm mbi 2.000 veta.

* * *

Dashuria midis Balzakut dhe Hanskës – Balzaku ishte në lidhje me markezën polake Evelina Hanska (Ewelina Hanska, 1805-1882). Ajo ishte një aristokrate nga familja Rzewuski. Midis saj dhe Balzakut kishte një lidhje të gjatë dashurie që u kurorëzua edhe me martesën e tyre. Në vitin 1832 ajo i shkroi një letër anonime Balzakut nga çifligu i saj në Wierzchownia (sot në Ukrainë). Në letër, ajo e shprehu admirimin e saj ndaj shkrimtarit të famshëm. Midis tyre u zhvillua një letërkëmbim intensiv dhe dashuri disavjeçare. Në vitin 1841, Evelina Hanskës i vdes burri Vaclav Hanski (Waclaw Hanski, 1782-1841). Ajo u martua me Balzakun në mars të vitit 1850, pak muaj para vdekjes së autorit të “Xha Gorios”.

* * *

Në vijim, pason fjalimi

Zotërinj,

Burri që sapo u varros ishte një prej atyre për të cilët zia publike e shoqëron procesionin e saj. Në kohët tona, janë zhdukur të gjitha trillimet. Tani, vështrimi ynë nuk është i fiksuar te kokat e atyre që sundojnë, por te kokat e atyre që mendojnë dhe i gjithë vendi dridhet kur një nga këto koka zhduket. Sot, zija popullore është vdekja e njeriut të talentuar; zija kombëtare është vdekja e gjeniut.

Zotërinj, emri i Balzakut do të ndërthuret me trashëgiminë e shkëlqyer që epoka jonë do të lërë për të ardhmen.

Balzaku i përkiste atij brezi të fuqishëm shkrimtarësh të shekullit nëntëmbëdhjetë që erdhën pas Napoleonit, ashtu si plejada e shquar e shekullit shtatëmbëdhjetë erdhi pas Richelieu-së – sikur, në zhvillimin e qytetërimit, të kishte një ligj që do të bënte të mundur që ata të cilët kanë sunduar me shpatë, të pasoheshin nga ata që do të sundonin me mendje.

Balzaku ishte një nga të parët ndër më të mëdhenjtë, një nga më të lartët ndër më të mirët. Ky nuk është vendi për të përshkruar gjithçka që përfshinte ky intelekt i shkëlqyer dhe sovran. Të gjithë librat e tij së bashku, formojnë një libër të vetëm, një libër të gjallë, të ndritshëm dhe të thellë, në të cilin e shohim gjithë qytetërimin tonë bashkëkohor të vijë dhe të shkojë, të marshojë dhe të lëvizë, me një lloj admirimi dhe tmerri, të përzier me realitetin. Një libër i mrekullueshëm të cilin poeti e titulloi “Komedi”, e që mund ta kishte titulluar “Histori”, që i merr të gjitha format dhe stilet, që e tejkalon Tacitin dhe arrin te Suetoni, që e përshkon Beaumarchais-në dhe arrin te Rabelais-ja; libër që është vëzhgim dhe imagjinatë që e ofron me shumicë të vërtetën, intimitetin, borgjezen, banalen, materialen e që nganjëherë, përmes të gjitha realiteteve të copëtuara papritur dhe gjerësisht, papritmas lejon vështrimin e një ideali më të errët dhe më tragjik.

A e di dhe a pajtohesh se autori i kësaj vepre të madhe dhe të çuditshme i përket llojit të fuqishëm të shkrimtarëve revolucionarë. Balzaku depërton drejt e në zemër të çështjes. Ai e rrok shoqërinë moderne drejtpërdrejt. Ai rrëmben diçka nga të gjithë: nga disa, iluzionin; nga të tjerët, shpresën; nga disa, një britmë; nga të tjerët, një maskë. Ai e heton vesin, e analizon pasionin. Ai thellohet dhe e heton njeriun, shpirtin, zemrën, zorrët, trurin, humnerën që ndodhet brenda secilit prej nesh. Dhe, me anë të një dhurate të natyrës së tij të lirë dhe energjike, me anë të një privilegji të intelekteve të kohës sonë, të cilët, duke qenë dëshmitarë të revolucioneve nga afër, e perceptojnë fundin e njerëzimit më qartë dhe e kuptojnë më mirë Providencën, Balzaku del i buzëqeshur dhe i qetë nga ato studime të mrekullueshme që prodhuan melankoli te Molieri dhe mizantropi te Rusoi.

Kjo është ajo që ai arriti midis nesh. Kjo është vepra që na la, një vepër e lartë dhe e fuqishme, një grumbullim i fuqishëm themelesh graniti, një monument, një vepër nga maja e së cilës tani e tutje do të shkëlqejë fama e tij. Njerëzit e mëdhenj i ndërtojnë piedestalet e tyre; e ardhmja e merr përsipër statujën.

Vdekja e tij e goditi Parisin me habi. Ai ishte kthyer në Francë disa muaj më parë. Duke e ndjerë frymën e fundit, ai kishte dëshiruar ta shihte përsëri atdheun e tij, ashtu siç mund të vinte dikush për ta përqafuar të ëmën në prag të një udhëtimi të madh! Jeta e tij ishte e shkurtër, por e plotë, më e mbushur me vepra se me ditë!

Mjerisht! Ky punëtor i fuqishëm dhe i palodhur, ky filozof, ky mendimtar, ky poet, ky gjeni e jetoi në mesin tonë atë jetë stuhish, luftërash, grindjesh dhe betejash, të zakonshme në gjithë historinë për të gjithë njerëzit e mëdhenj. Sot ai është në paqe. Ai del nga mosmarrëveshjet dhe urrejtjet. Ai hyn, në të njëjtën ditë, si në lavdi, ashtu edhe në varr. Tani e tutje ai do të shkëlqejë mbi të gjitha këto re që ndodhen kokat tona, midis yjeve të kombit.

Të gjithë ju që jeni këtu, a nuk tundoheni ta keni zili?

Zotërinj, sado që të jetë i rëndë hidhërimi ynë përballë një humbjeje të këtillë, le t’u dorëzohemi këtyre katastrofave. Le t’i pranojmë ato me tërë hidhërimin dhe ashpërsinë e tyre. Ndoshta është mirë, ndoshta edhe e nevojshme që në një epokë si kjo e jona, herë pas here një vdekje e madhe t’u japë një tronditje fetare mendjeve të pushtuara nga dyshimi dhe skepticizmi. Providenca e di se çfarë bën kur i vendos njerëzit përballë misterit suprem dhe kur u jep atyre mundësinë të meditojnë mbi vdekjen që është barazia e madhe dhe liria e madhe.

Providenca e di se çfarë bën, sepse ky është më i larti nga të gjitha mësimet. Mund të ketë vetëm mendime të ashpra dhe serioze në çdo zemër, kur një shpirt sublim hyn me madhështi në jetën tjetër! Kur një nga ato qenie që kanë fluturuar prej kohësh mbi turmën me krahët e dukshëm të gjeniut, duke shpalosur papritur krahë të tjerë të padukshëm, zhytet sakaq në të panjohurën!
Jo, nuk është e panjohura! Jo, e kam thënë tashmë në një rast tjetër të dhimbshëm dhe nuk do të lodhem për ta thënë sërish.