Është arrestuar një 41-vjeçare nga Kratova, ndaj së cilës po zhvillohen procedura për uzurpimin e lokalitetit “Kuklica”, për të cilën Prokuroria Themelore Publike e Kumanovës në gjykatën kompetente ka dorëzuar edhe propozim për caktimin e masës së paraburgimit transmeton Portalb.mk.
Sipas informacioneve nga MPB, policia e arrestoi S.D. (41) nga Kratova më 2 gusht në orën 19:30, duke vepruar sipas një kallëzimi të mëparshëm se po atë ditë, rreth orës 18:00, në lokalitetin “Kuklica”, kishte sulmuar fizikisht disa persona, të cilët ishin vizitorë të lokalitetit.
Siç informojnë nga PTHP, e dyshuara për një periudhë më të gjatë, pavarësisht të gjitha masave të ndërmarra deri më tani, vazhdon ta uzurpojë lokalitetin “Kuklica”, i cili me dekret është shpallur monument i natyrës, t’u paguajë hyrje vizitorëve pa bazë ligjore, të debatojë me ta dhe t’i kërcënojë, me çka vazhdimisht e prish rendin dhe qetësinë publike. Gjatë incidentit të fundit, e dyshuara ka penguar edhe një person zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare, përkatësisht ka sulmuar fizikisht dhe ka penguar zyrtarët policorë të cilët kanë tentuar ta identifikojnë dhe ta arrestojnë.
“Prokurori publik e kishte parasysh edhe faktin se kundër këtij personi tashmë është në zhvillim procedurë për veprën penale të vazhduar uzurpim i lokalitetit “Kuklica”, në të cilën i janë shqiptuar masa kujdesi, duke përfshirë edhe ndalimin për ta vizituar lokacionin, megjithatë ajo shmang pranimin dhe respektimin e vendimit. Gjithashtu, e dyshuara së bashku me bashkëshortin e saj edhe më parë ka marrë pjesë në veprime për pengimin e një personi zyrtar në kryerjen e detyrës zyrtare ndaj inspektorëve të tregut”, thuhet në njoftimin e PTHP-së.
Ata theksojnë se, duke qenë se ekziston mundësia e arratisjes, por edhe tendencë e qartë që e dyshuara të vazhdojë të kryejë vepra penale, prokurori publik te gjyqtari i procedurës paraprake ka dorëzuar propozim për caktimin e masës së paraburgimit.





