Vetëm pak kohë pasi rikthyen shtëpinë e tyre në Zveçan dhe filluan punimet që ta bëjnë të banueshme pas 28 vjetësh largimi të detyruar gjatë luftës, familja Berisha ka thënë se shtëpia u bë cak i një sulmi të dyshuar me zjarr.
Lajmin e ka bërë të ditur Zana Berisha përmes një postimi në platformën TikTok, ku mes tjerash deklaroi se kjo nuk i zmbraps dhe se shtëpinë do e renovojnë.
“Mbrëmjen e kaluar kanë tentuar të na e djegin komplet shtëpinë. Fatmirësisht, një pjesë e madhe e shtëpisë ka shpëtuar. Krejt kjo si pasojë se ne nuk jemi 24 orë këtu. Kjo nuk do të thotë kurrgjë për ne si familje. Përkundrazi, vetëm sa e forcon bindjen tonë se jemi në rrugën e drejtë. Jemi të lirë, kemi përkrahjen e institucioneve të shtetit tonë dhe do të vazhdojmë. Kjo nuk do të thotë se do të tërhiqemi. Do të kthehemi edhe më të fuqishëm se më parë. Shtëpia jonë do të renovohet”, ka deklaruar Berisha.
KOHA lidhur me rastin ka pyetur Policinë e Kosovës dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.
Para më pak se një muaji, familja Berisha ka rikthyer shtëpinë e saj në Zveçan. Në 27-vjetorin e Ditës së Çlirimit, Zana Berisha nga kjo familje ka thënë në emisionin “Sot” në KTV ka thënë se qytetarëve të Mitrovicës e sidomos atyre të Zveçanit për shumë vjet iu është pamundësuar kthimi në pronat e tyre.
Pas kthimit, ata kishin nisur restaurimin e objektit, me synimin për ta bërë sërish të banueshëm.



