Policia ka shoqëruar dhe vënë nën hetim 8 të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konfliktin ku mbeti i dëmtuar një 20-vjeçar italian, i cili ndodhej në Shqipëri për pushime. Më tej, blutë bëjnë me dije se vijon puna për identifikimin e personave të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt.
Ngjarja u bë publike pas rrëfimit të disa turistëve italianë për mediat në Itali. Sipas tyre, gjashtë të rinj italianë që kishin ardhur për pushime në Shqipëri janë sulmuar nga një grup të rinjsh në qendër të Tiranës.
Ata kanë deklaruar se pranë sheshit “Skënderbej” janë ndjekur nga një grup personash që u kanë hedhur ujë, shishe dhe gurë. Më pas, sipas dëshmisë së tyre, një prej italianëve është rrethuar dhe kërcënuar me thikë për t’i marrë para.
Pesë prej tyre kanë arritur të largohen, ndërsa njëri ka mbetur pas dhe, sipas rrëfimit të tyre, është dhunuar fizikisht.
Turistët italianë kanë pretenduar gjithashtu se fillimisht nuk kanë marrë ndihmë nga disa efektivë policie, ndërsa më pas një grup tjetër punonjësish të policisë u është afruar dhe u ka dhënë ndihmë.
Ndërsa sipas policisë së Tiranës, pas verifikimit të pamjeve filmike të shpërndara në rrjetet sociale dhe nga kamerat e sigurisë, rezultoi se ngjarja kishte ndodhur pas Pallatit të Kulturës. Në vendngjarje është gjetur një prej shtetasve italianë me dëmtime të lehta, së bashku me dy shokë të tij.
Policia ka bërë të ditur se fillimisht atyre u është ofruar ndihmë nga Policia Bashkiake dhe më pas i riu është transportuar në spital. Megjithatë, ai është larguar me dëshirë pa përfunduar ekzaminimet mjekësore dhe as ai, dhe as dy shokët e tij, nuk kanë bërë kallëzim në polici.
Njoftimi i policisë sot:
Në vijim të informacionit të dhënë ditën e djeshme, lidhur me rastin e ndodhur pranë Pallatit të Kulturës, më datë 29.07.2026, ku mbeti i dëmtuar lehtë një 20-vjeçar italian, ju informojmë se:
Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, të kryera menjëherë pas konfliktit, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 1 bënë të mundur identifikimin, shoqërimin dhe procedimin në gjendje të lirë të 8 shtetasve të mitur, të moshës 13-15 vjeç, të dyshuar si të përfshirë në konflikt, gjatë të cilit 20-vjeçari italian pësoi lëndime të lehta trupore.
Puna vijon për identifikimin e shtetasve të tjerë të dyshuar si të përfshirë në konflikt, si dhe për dokumentimin e plotë ligjor të rastit.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.



