Projekti i ujësjellësit në Komunën e Likovës assesi të përfundojë, fshatrat Hotël, Ropalcë dhe Opajë vazhdojnë të mbeten pa ujë të pijshëm, shkruan Portalb.mk.
Sipas banorëve, punimet për ndërtimin e rrjetit të ujësjellësit në Hotël kanë nisur rreth një vit më parë, por po zhvillohen me ritëm të ngadaltë.
Një banor i fshatit Hotël thekson se për shkak të zvarritjes së punimeve, ende nuk ka afat të qartë se kur do të furnizohen me ujë të pijshëm.
“Problemi i ujësjellësit duhet të zgjidhet sa më parë, nuk kërkojmë asgjë më shumë se një shërbim bazë. Shpresojmë që institucionet të mos na japin më vetëm premtime, por ta përfundojnë projektin sa më shpejt”, deklaroi banori.
Sa i përket vendbanimit Opajë, gypi i ujësjellësit është dërguar deri në hyrje të fshatit, megjithatë, banorët thonë se ende nuk kanë mundësi të furnizohen me ujë në shtëpitë e tyre, pasi lidhjet individuale nga rrjeti kryesor deri te amvisëritë duhet të bëhen me vetëfinancim.
Ata kërkojnë që institucionet të gjejnë një zgjidhje edhe për këtë pjesë të projektit, pasi jo të gjithë familjet kanë mundësi t’i përballojnë vetë shpenzimet e lidhjes.
“Gypin e kanë sjellë deri në hyrje të fshatit, por lidhjen me rrjetin e ujësjellësit duhet ta bëjnë vet banorët. Ne kërkojmë që të gjendet një zgjidhje e cila duhet të jetë e pranueshme për të dy palët”, u shpreh një banor nga Opaja.
Nga ana tjetër, në fshatin Ropalcë, punimet ende nuk kanë filluar aspak dhe shtrirja e rrjetit të ujësjellësit është ende larg. Banorët thonë se kanë marrë premtime të shumta, por jo edhe punë konkrete në terren.
“Në disa fshatra të komunës tonë rrjeti i ujësjellësit ka arritur, derisa te ne punimet për ujësjellësin nuk kanë filluar ende”, tha një banor nga Ropalca.
Nga Ministria e Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor për Portalb deklaruan se Komuna e Likovës ka dorëzuar projekt deri tek ata për përmirësimin e furnizimit me ujë të pijshëm në fshatin Hotël, në vlerë prej 43 milionë denarë, i cili financohet nga ministria, përmes Linjës Kreditore Hungareze.
Sipas tyre, në bazë të dinamikës së paraparë në marrëveshje, projekti në Hotël pritet të përfundojë më së voni deri në fund të këtij viti, me ç’rast banorëve do t’u sigurohet furnizim i rregullt, i qëndrueshëm dhe cilësor me ujë të pijshëm.
“Pas miratimit të projektit, Ministria ka nënshkruar marrëveshje për financim me Komunën e Likovës. Në përputhje me kompetencat ligjore, Komuna e Likovës është përgjegjëse për zhvillimin e procedurës së prokurimit publik, përzgjedhjen e operatorit ekonomik dhe realizimin e punimeve, ndërsa Ministria siguron mjetet financiare dhe monitoron zbatimin e marrëveshjes”, thonë nga Ministria e Mjedisit.
Nga atje shtuan se procedura e prokurimit publik tashmë ka përfunduar, është përzgjedhur operatori ekonomik dhe punimet janë në zhvillim e sipër. Deri më tani, siç thanë nga atje, është realizuar edhe pagesa e dy situacioneve, afro gjysma e shumës së përgjithshme, në përputhje me dinamikën e zbatimit të projektit.
“Projekti përfshin rindërtimin e gypit kryesor të ujësjellësit nga pika e lidhjes në sistemin e ujësjellësit të Likovës, pranë Pendës së Gllazhnjës, deri te rezervuari i ujit në Hotël, i cili po ndërtohet në kuadër të këtij projekti”, theksuan nga Ministria e Mjedisit.
Për vendbanimet Opajë dhe Ropalcë institucionet nuk dhanë përgjigje. Portalb kërkoi detaje nga Komuna e Likovës, por nga aty nuk u përgjigjën.
Portalb.mk e ka ndjekur vazhdimisht projektin e ujësjellësit në Komunën e Likovës. Në fshatin Likovë lëshimi i ujit të pijshëm u realizua me 3 prill 2025. Me 25 qershor 2025 në fshatin Orizare u bë lëshimi i hidranteve dhe kontrolli i plotë në terren për t’u siguruar që i gjithë sistemi të jetë funksional. Në Sllupçan rezervuarët janë të mbushur dhe funksionalë prej me 27 qershor 2025. Në fshatin Vaksincë u bë testimi i rrjetit dhe i rezervuarit të ri me 15 korrik 2025. njëjti proces u realizua edhe në Llojan me 17 korrik 2025.



