Festivali ndërkombëtar “Sunny Hill” nis këtë të premte në Prishtinë, ku mijëra pjesëmarrës nga vende të ndryshme të botës do të shohin një detaj me domethënie të veçantë në hyrje: flamingot, simboli i protestave mjedisore të nisura në Zvërnec.
Vendosja e flamingove në hyrje të festivalit është një tjetër mesazh mbështetjeje për kauzën e mbrojtjes së natyrës, në një kohë kur Shqipëria vijon të përjetojë protesta antiqeveritare që filluan pikërisht nga Zvërneci si një lëvizje qytetare kundër ndërhyrjeve të konsideruara të dëmshme për mjedisin.
Më herët, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa kishte shprehur publikisht mbështetjen e saj për këto protesta gjatë një bashkëbisedimi në podkastin e shkrimtares Lea Ypi, intervistë që tërhoqi vëmendjen edhe të mediave ndërkombëtare.

Me përfshirjen e simbolit të flamingove në festival, artistja i jep kauzës një tjetër platformë të rëndësishme ndërkombëtare. “Sunny Hill” tërheq çdo vit mbi 100 mijë pjesëmarrës nga rreth 60 vende, duke e bërë mesazhin të dukshëm për një audiencë globale.
Edicioni i këtij viti zhvillohet nga 31 korriku deri më 2 gusht dhe sjell në skenë emra të njohur të muzikës botërore, mes tyre Katy Perry, Martin Garrix, Lewis Capaldi, Adam Port, Rampa (Keinemusik), Seth Troxler, PAWSA dhe Carlita.



