Shkruan: Fitim Nuhiu
30.07.2026
Në kohën kur presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe zyrtarë të tjerë serbë vazhdojnë të përdorin një retorikë të ashpër ndaj Kosovës, duke rikthyer në diskurs fjalorin e luftës dhe të tensioneve, nga Tirana vjen një lajm krejt tjetër: shqyrtimi apo propozimi i hapjes së konsullatës së Shqipërisë në Bujanoc dhe e konsullatës së Serbisë në Shkodër.
Në parim, askush nuk mund të jetë kundër diplomacisë. Realisht, konsullatat mëtojnë të ndërtojnë ura komunikimi, të ndihmojnë qytetarët dhe të forcojnë marrëdhëniet mes shteteve, por diplomacia nuk matet vetëm me numrin e institucioneve që hapen, ajo matet me dinjitetin që mbron dhe me interesat që përfaqëson. Prandaj, pyetja që lind është krejt e natyrshme: çfarë fiton Shqipëria politikisht nga ky bashkëpunim dhe çfarë fitojnë shqiptarët e Luginës së Preshevës? Prej vitesh, shqiptarët në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë përballen me sfida që lidhen me përfaqësimin institucional, përdorimin e gjuhës shqipe, arsimin, zhvillimin ekonomik dhe respektimin e të drejtave elementare të tyre. Megjithatë, rrallëherë këto çështje shndërrohen në kushte të qarta ose prioritete të dukshme në dialogun politik me Beogradin. Gjersa nga ana tjetër, Serbia nuk heziton ta vendosë çështjen e serbëve në Kosovë në qendër të çdo diskutimi ndërkombëtar. Ajo e mbron atë si interes strategjik të shtetit të saj. Atëherë, pse Shqipëria nuk vepron me të njëjtën këmbëngulje për shqiptarët e Luginës? Pse nuk kërkohet me të njëjtën vendosmëri zbatimi i standardeve ndërkombëtare për të drejtat e tyre? Pse nuk ngrihet si parim reciprociteti? Diplomacia nuk është art i buzëqeshjeve para kamerave, por është aftësia për të mbrojtur interesat e qytetarëve dhe bashkëkombasve të tu, sidomos kur ata janë pakicë dhe kanë nevojë për mbështetje.
Nëse marrëdhëniet me Serbinë përparojnë pa u shoqëruar me përmirësime konkrete për shqiptarët në Luginën e Preshevës, atëherë lind një dilemë e pashmangshme: a po ndërtohet një partneritet i balancuar, apo po krijohet përshtypja se njëra palë vazhdon të kërkojë, ndërsa pala tjetër vazhdon të japë? Askush nuk kërkon konflikte, askush nuk kërkon izolim, por pa reciprocitet nuk ka partneritet të qëndrueshëm dhe as respekt të ndërsjellë. Shqipëria ka të drejtë të zhvillojë marrëdhënie të mira me çdo fqinj. Por ajo ka edhe një përgjegjësi morale dhe kombëtare që, sa herë ulet në tryezë me Serbinë, të mos harrojë se në anën tjetër të kufirit jetojnë shqiptarë, të cilët presin jo vetëm fjalë mirëkuptimi, por edhe mbështetje të dukshme diplomatike. Diplomacia që nuk arrin të mbrojë interesat e njerëzve të vet, rrezikon të mbetet vetëm një fotografi protokollare, ndërsa historia nuk i kujton fotografitë, ajo kujton qëndrimet.
Ky zhvillim bëhet edhe më domethënës kur shihet në dritën e realitetit demografik. Sipas regjistrimit zyrtar të popullsisë në Serbi të vitit 2022, në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë jetojnë 57.710 shqiptarë me banim të përhershëm, ndërsa përfaqësuesit shqiptarë kanë ngritur vazhdimisht shqetësime për pasivizimin e adresave të mijëra banorëve, duke pretenduar se numri real i shqiptarëve është më i lartë. Në anën tjetër, sipas regjistrimit të popullsisë në Shqipëri të vitit 2023, në qarkun e Shkodrës vetëm 584 persona janë deklaruar me përkatësi etnike serbe (gjegjësisht sllave: malazez, etj).
Ky disproporcion nuk është thjesht statistikë. Ai ngre një pyetje politike dhe diplomatike: si mund të flitet për reciprocitet kur nevojat, numri dhe pesha e komuniteteve në të dy anët janë kaq të ndryshme? Reciprociteti nuk duhet të kuptohet vetëm si një barazim formal i hapjes së institucioneve, por si një standard i barabartë në mbrojtjen e të drejtave të komuniteteve. Nëse në Luginën e Preshevës jeton një komunitet shqiptar prej dhjetëra mijëra banorësh, me kërkesa konkrete për arsim, gjuhë, përfaqësim dhe zhvillim, ndërsa në Shkodër komuniteti serb përbëhet nga disa qindra persona, atëherë përgjegjësia e shtetit shqiptar duhet të jetë që këtë realitet ta përkthejë në një politikë më të qartë dhe më të fuqishme diplomatike, sepse miqësia mes shteteve nuk ndërtohet duke heshtur për problemet e bashkëkombasve të tu, por duke i trajtuar ato me maturi dhe vendosmëri.
Në këtë drejtim, kërkesa për hapjen e një konsullate të Republikës së Shqipërisë në Preshevë, përkatësisht në Luginën e Preshevës, nuk është e re. Ajo është artikuluar edhe më herët nga luginasit, si nevojë për një prani më të drejtpërdrejtë institucionale të shtetit shqiptar pranë shqiptarëve të kësaj treve. Në këtë kontekst, vlen të rikujtohet nisma qytetare e ndërmarrë në fund të vitit 2020 nga disa organizata joqeveritare që veprojnë në Luginën e Preshevës, të cilat, përmes një kërkese drejtuar ministrit të atëhershëm për Evropën dhe Punët e Jashtme të Republikës së Shqipërisë, z. Gent Cakaj, përshëndetën propozimin e tij për hapjen e mundshme të një konsullate shqiptare në Serbi. Kjo nismë nuk buronte nga nevoja për një zyrë diplomatike formale, por nga domosdoshmëria që shteti shqiptar të ishte më pranë shqiptarëve të Luginës, të njihte nga afër sfidat e tyre të përditshme dhe të kishte një pasqyrë të drejtpërdrejtë mbi zhvillimet politike, institucionale dhe shoqërore në këtë rajon.
Si shqiptarë të Luginës së Preshevës, ne nuk kemi asnjë dilemë për ta thënë qartë: konsullatën shqiptare në Luginë e duam dhe e mirëpresim. Ajo nuk do të ishte vetëm një zyrë diplomatike më shumë në hartën e Ballkanit, por një mundësi konkrete që shteti shqiptar të jetë më pranë shqiptarëve të Luginës, të cilët prej dekadash përballen me probleme të njohura botërisht. Por pikërisht këtu lind një pyetje tjetër, të cilën Tirana nuk duhet ta anashkalojë: nëse Shqipëria hap konsullatë në Bujanoc për t’u afruar me shqiptarët e Luginës, çfarë po kërkon Serbia në Shkodër? Pyetja nuk është kundër serbëve që jetojnë në Shqipëri dhe as kundër të drejtës së tyre për t’u organizuar e për të kultivuar identitetin e tyre. Por diplomacia duhet të matet me nevojën reale, numrin e komunitetit, problematikat konkrete dhe parimin e reciprocitetit.
Po ashtu lind natyrshëm edhe një pyetje që nuk mund të anashkalohet: me kë është konsultuar Tirana për këtë nismë? A janë konsultuar institucionet politike shqiptare të Luginës, përfaqësuesit lokalë dhe vetë qytetarët për mënyrën se si do të funksiononte kjo konsullatë, cilat do të ishin kompetencat e saj dhe, mbi të gjitha, kush do ta drejtonte atë? Sepse, nëse qëllimi është që kjo zyrë të jetë një mekanizëm i drejtpërdrejtë i mbështetjes së shqiptarëve të Luginës dhe i njohjes nga afër me realitetin e tyre, atëherë është e arsyeshme që edhe zëri i tyre të jetë pjesë e vendimmarrjes. Përndryshe, ekziston rreziku që edhe një nismë e mirë në parim të mbetet një projekt i hartuar në zyrat e Tiranës, ndërsa ata për të cilët pretendohet se bëhet – shqiptarët e Luginës – të mësojnë për të nga lajmet.
Megjithatë, në rrethanat aktuale, çdo hap i ndërmarrë diplomatik duhet të shoqërohet me një strategji të qartë dhe me parimin e reciprocitetit. Përndryshe, ekziston rreziku që një veprim i tillë të perceptohet si një përfitim diplomatik për Serbinë, ndërsa shqiptarët e Luginës të mbeten përsëri vetëm me premtime dhe pa ndryshime konkrete në jetën e tyre.
Marrëdhëniet shqiptaro-serbe nuk kanë nevojë vetëm për më shumë institucione, por për më shumë drejtësi dhe ekuilibër. Hapja e konsullatave mund të jetë një hap pozitiv vetëm nëse shoqërohet me një angazhim real për të drejtat e njerëzve që ato duhet t’i shërbejnë. Përndryshe, rrezikohet që diplomacia të mbetet vetëm një proces ceremonial, ku hapen dyer zyrtare, por mbeten të mbyllura dyert e zgjidhjes së problemeve të vërteta, prandaj pyetja mbetet e hapur dhe kërkon një përgjigje të qartë politike:
Shqipëri, a i ke bërë mirë llogaritë?
A është kjo një diplomaci që sjell rezultate konkrete për shqiptarët e Luginës së Preshevës, apo vetëm një afrim protokollar ku balanca e interesave ende nuk është vendosur, sepse diplomacia pa reciprocitet nuk është forcë – është vetëm iluzion…!?
Një histori e gjatë problemesh, por pak zgjidhje
Për më shumë se tri dekada, çështjet e shqiptarëve në Luginën e Preshevës kanë qenë pjesë e vazhdueshme e agjendave politike, raporteve ndërkombëtare dhe diskutimeve diplomatike. Të drejtat e tyre në arsim, përdorimin e gjuhës, përfaqësimin institucional, zhvillimin ekonomik dhe barazinë qytetare janë përmendur vazhdimisht, por shumë pak është bërë në praktikë për të ndryshuar realitetin e tyre. Problemet janë evidentuar, janë dokumentuar dhe janë adresuar në tryeza të shumta, por zgjidhjet konkrete kanë munguar. Ndërkohë, në anën tjetër të kufirit, për komunitetin serb në Shqipëri – përfshirë edhe ata në Shkodër – nuk ka ekzistuar një situatë e krahasueshme diskriminimi sistematik apo pengesash të vazhdueshme institucionale që do të kërkonin trajtim të jashtëzakonshëm politik. Megjithatë, çdo herë që shtrohet çështja e minoriteteve, shpesh krijohet një barazim artificial mes situatave që nuk janë të njëjta në përmbajtje dhe në përvojë historike. Reciprociteti nuk nënkupton barazimin e numrave në letër, por barazinë e standardeve dhe të drejtave.
Nëse kërkohet respekt për një komunitet në njërin shtet, atëherë i njëjti standard duhet të vlejë edhe për komunitetin tjetër. Përndryshe, diplomacia shndërrohet në një proces ku disa probleme dëgjohen për vite me radhë, ndërsa disa të tjera anashkalohen për arsye politike, e kjo gjë duhet të ketë më një fund.
Opinione Një konsullatë, dy realitete: Mbështetje për Luginën apo fitore diplomatike për...



