Ushtruesja e detyrës së presidentit të Kosovës, Albulena Haxhiu, zhvilloi një takim me komandantin e Komandës Aleate të Forcave të Përbashkëta të NATO-s në Napoli, admiralin George Wikoff, me të cilin bisedoi për situatën e sigurisë në vend dhe bashkëpunimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Aleancës.
Sipas Haxhiut, në takim u vlerësua roli i KFOR-it në ruajtjen e një mjedisi të sigurt dhe të lirisë së lëvizjes për të gjitha komunitetet në Kosovë.
Ajo tha se e falënderoi admiralin Wikoff për angazhimin e tij dhe ritheksoi se orientimi euroatlantik i Kosovës mbetet i pandryshueshëm.
“Anëtarësimi në NATO mbetet synimi ynë strategjik”, shkroi Haxhiu në Facebook, duke shtuar se institucionet e vendit mbeten të përkushtuara për forcimin e partneritetit me Aleancën.
Gjatë vizitës në Prishtinë, admirali Wikoff u prit edhe nga kryeministri në detyrë, Albin Kurti.
Sipas Kurtit, në takim u diskutua për zhvillimet e sigurisë dhe koordinimin ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe NATO-s, ndërsa ai shprehu mirënjohje për kontributin e KFOR-it në paqen dhe stabilitetin në Kosovë dhe në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
NATO-ja udhëheq misionin paqeruajtës KFOR në Kosovë që nga qershori i vitit 1999, në bazë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Aktualisht, KFOR-i është përgjegjës për ruajtjen e një mjedisi të sigurt në koordinim me Policinë e Kosovës dhe misionin e BE-së për sundimin e ligjit, EULEX.
Në qershor, NATO-ja njoftoi se do të nisë një rregullim gradual të pranisë së KFOR-it përgjatë rreth një viti, duke argumentuar se situata e sigurisë në Kosovë është përmirësuar.
Aleanca siguroi se nuk bëhet fjalë për tërheqje të misionit, por për optimizim të pranisë ushtarake.
Ajo theksoi se çdo reduktim do të varet nga gjendja në terren dhe se mund të zhbëhet nëse situata përkeqësohet.
Pas tensioneve në veri në vitin 2023, NATO-ja dërgoi trupa shtesë në Kosovë.
Aktualisht, në mision shërbejnë mbi 4.600 trupa nga 31 vende të botës.
Numri më i madh i tyre vjen nga Italia: 907.
Shtetet e Bashkuara janë të pranishme me 590 ushtarë.
Kosova e ka synim anëtarësimin në NATO, por katër vende të Aleancës – Greqia, Spanja, Sllovakia dhe Rumania – nuk e njohin ende pavarësinë e saj.
Në muajt e fundit, Kongresi amerikan ka shtuar mbështetjen për Kosovën, përmes rezolutave dypartiake që kërkojnë avancimin e rrugës së saj drejt NATO-s dhe riafirmojnë rëndësinë e pranisë ushtarake amerikane në vend, por vendimi për anëtarësim kërkon mbështetjen unanime të 32 anëtarëve./REL



