Hoti: Na duhet një LDK e fortë për ta larguar këtë pushtet që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës

Deputeti i zgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka deklaruar se në këto kohë duhet një LDK e fortë për t’u përballur me sfidat politike dhe për ta larguar nga pushteti, siç është shprehur ai, mazhorancën që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës.

Përmes një reagimi lidhur me Kuvendin e jashtëzakonshëm të LDK-së, i cili mbahet të enjten, Hoti ka thënë se ky mekanizëm statutar është paraparë nga ideologët e LDK-së, duke ndjekur praktikat e partive simotra të LDK-së në vendet e Bashkimit Evropian, për ushtrimin e kontrollit demokratik të delegatëve ndaj lidershipit të partisë.

Sipas tij, Kuvendi është thirrur pasi nuk pajtohen me humbjen në tri palë zgjedhje parlamentare dhe me humbjen e dy komunave në zgjedhjet lokale.

“Nuk mund të ulim kokën dhe të ndihemi rehat me këto rezultate të dobëta, siç po na thotë, praktikisht, lidershipi aktual i LDK-së duke kundërshtuar thirrjen e Kuvendit. Një LDK që e ul kokën përballë këtyre humbjeve nuk i shërben Kosovës. Një LDK e tillë mund të jetë vetëm në interes të kundërshtarëve politikë”, ka shkruar Hoti.

Ai ka shtuar se thirrja e Kuvendit u bë domosdoshmëri pasi, sipas tij, lidershipi aktual nuk e respektoi standardin e vendosur në vitin 2021, kur Isa Mustafa mori përgjegjësinë dhe hapi rrugën përmes së cilës në krye të LDK-së u zgjodh Lumir Abdixhiku.

 

Hoti ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur kundër askujt, por për shkak se, sipas tij, Kosovës i duhet një LDK e fortë.

“Na duhet një LDK e fortë për të larguar nga pushteti këtë mazhorancë që i ka bërë dëme të mëdha Kosovës: (1) ka dëmtuar aleancat strategjike të Kosovës, (2) nuk e ka zbatuar Marrëveshjen e Uashingtonit, (3) e ka braktisur dialogun për njohje reciproke në Bruksel e Uashington dhe ka përfunduar në Ohër duke marrë obligime përmes një aneks-marrëveshjeje të panënshkruar, (4) aferat në energjetikë, abuzimet me buxhetin e shtetit, tenderët me negocim e nepotizmi në emërimet politike e kanë karakterizuar gjithë qeverisjen 6-vjeçare të LVV-së, (5) presioni ndaj organeve të drejtësisë, mos emërimi i Kryeprokurorit të Shtetit në kundërshtim me Kushtetutën, shkarkimi i Kryesueses së KQZ-së, shkarkimet joligjore të bordeve dhe organeve të tjera të pavarura, instrumentalizimi i RTK-së dhe i AKI-së, mosparaqitja e Kryeministrit para organeve të drejtësisë e probleme të tjera e kanë përkeqësuar sundimin e ligjit dhe ndarjen e pushteteve, (6) dështimet në ekonomi e në investime kapitale, inflacioni e rritja e kostove të jetesës, mungesa e investimeve në shëndetësi e probleme të tjera ekonomike e sociale e kanë përkeqësuar mirëqenien e familjeve. Këto dhe çështje të tjera të interesit publik përbëjnë betejën tonë politike, për të cilat beteja na duhet një LDK e fortë”, ka deklaruar ai.

Më tej, Hoti ka theksuar se Kuvendi nuk është thirrur për të legjitimuar në krye të LDK-së një person tjetër.

“Kuvendi i LDK-së nuk është thirrur për të legjitimuar në krye të LDK-së një person tjetër. Lidershipi i ri i LDK-së nuk mund të paracaktohet nga askush, as nga grupet jashtë LDK-së, as nga dëshirat e preferencat brenda LDK-së”, ka shkruar ai.

Ai ka shtuar se lidershipi i ri do të jetë rezultat i zgjedhjeve të përgjithshme në LDK, të cilat, sipas tij, do të zhvillohen sipas Statutit dhe rregulloreve të partisë.

“Zgjedhjet do të jenë transparente, me afate të qarta dhe të arsyeshme për të mundësuar pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve të LDK-së. Zgjedhjet do të mbikëqyren në përpikëri nga organet kompetente të LDK-së për të siguruar rregullsinë, transparencën dhe gjithëpërfshirjen. Vetëm zgjedhjet e tilla sigurojnë konkurrencë zgjedhore, që nga niveli i nëndegëve dhe degëve e deri te strukturat qendrore të LDK-së. Nuk ka rrugë tjetër për zgjedhjen e lidershipit të LDK-së përveçse përmes këtij procesi të përcaktuar në Statutin e LDK-së”, ka përfunduar Hoti.

Kuvendi i jashtëzakonshëm i LDK-së pritet të mbahet të enjten nga ora 18:00, me kërkesë për shkarkimin e Abdixhikut.