Persona të panjohur shkarravisin tabelën e shoqatës “Srpski Vez” në Kumanovë

Persona ende të panjohur dy netë më parë kanë shkarravitur hyrjen dhe tabelën e Shoqatës Kulturore “Sprski Vez” në Qendër të Kumanovës. Sipas pamjeve të cilat u publikuan nga ministri i Vetëqeverisjes Lokale Ivan Stoillkoviq, disa minuta pas mesnate, dy persona ndalojnë me veturë para shoqatës dhe bëjnë grafitë me mbishkrim “UÇK”. Sipas Stoillkoviq, ksenofobia e tillë është shtuar edhe më tepër pasi partia e tij DPSM u bë pjesë e Qeverisë.

“Shteti dhe opinioni duhet ashpër t’i sanksionojë. E për politikat të cilat nxisin sjellje të tillë, në ndonjë rast tjetër. Askush nuk do të anashkalohet”, ka reaguar Stoillkoviq.

Ndaj incidentit ka reaguar edhe kryetari i Kumanovës, Maksim Dimitrievski. Kërkon nga organet të konfirmojnë identitetin e kryerësve.

“Ashpër dënoj vandalizimin e hapësirave të Shoqatës “Srpski Vez” në Kumanovë. Kërkoj nga organet e hetuesisë të konfirmojnë identitetin e kryerësve dhe t’i nxjerrin para drejtësisë. Kumanova gjithnjë ka qenë qytet i multikulturës dhe bashkëjetesës, kështu dhe do të mbetet, veprimet e tilla nuk janë patriotizëm por shovinizëm e cila nxitë padurim nacional kundër së cilës janë të gjithë qytetarët e Kumanovës”, ka shkruar Dimitrievski.

Nga Ministria e Punëve të Brendshme për Alsat thonë se janë duke punuar në mënyrë intenzive në zbardhjen e rastit por nuk zbulojnë nëse kanë arritur të identifikojnë kryerësit./Alsat.mk