Gjithçka është gati për duelin mes Anthony Joshua-s dhe Kristian Prengës, i cili do të zhvillohet këtë të shtunë, 25 korrik, në Xhedah të Arabisë Saudite, me fillim nga ora 22:00 (ora shqiptare).
Ish-kampioni i botës në peshat e rënda rikthehet në ring përballë boksierit shqiptar në një sfidë që konsiderohet një test i rëndësishëm përpara objektivave të tij të mëdhenj, mes tyre edhe një përballje e mundshme me Tyson Fury-n.
Përveç interesit sportiv, vëmendje ka marrë edhe shpërblimi financiar që do të përfitojnë dy boksierët.
Sipas raportimeve të mediave britanike, Joshua pritet të arkëtojë mes 4 dhe 5 milionë paundësh (rreth 4.6-5.8 milionë euro) për këtë duel.
Nga ana tjetër, Prenga pritet të fitojë rreth 1 milion paund (afërsisht 1.15 milionë euro), pagesa më e madhe në karrierën e boksierit shqiptar.
Joshua hyn në këtë duel si favorit absolut. Britaniku ka një bilanc prej 29 fitoresh (26 me nokaut) dhe 4 humbjesh, ndërsa Prenga numëron 20 fitore, 19 prej tyre me nokaut, dhe vetëm një humbje në karrierën profesioniste.
Për Joshua-n, kjo ndeshje është një hap i rëndësishëm në rrugën drejt rikthimit në majën e peshave të rënda dhe synimit për t’u shpallur kampion bote për herë të tretë.
Ndërkohë, për Prengën, përballja me një nga emrat më të mëdhenj të boksit botëror është mundësia ideale për të shkruar historinë dhe për të siguruar fitoren më të madhe të karrierës së tij.



