Shkruan: Fejzi HAJDARI
Ka diçka që më shqetëson thellë dhe më bën të ndihem keq: pse përvjetorët e rënies së komandantëve në përgjithësi në rajonin e Kumanovës dhe Likovës, dëshmorëve dhe të gjithë atyre që u sakrifikuan në luftën e vitit 2001, por edhe para këtij viti të lavdishëm, nuk po shënohen gjithmonë me dinjitetin dhe seriozitetin që e meritojnë?
Mosshënimin e përvjetorit të Xhemail Rexhepit, të njohur si komandant Shqiponjës, e mora vetëm si shkas, sepse mungoi një shënim i dinjitetshëm i organizuar nga cilido subjekt apo asociacion qoftë ai.
Janë ngjarjet e vitit 1981, që njiheni si “procesi i diferencimit ideo-politik”, që u zbatua kryesisht ndaj mësimdhënësve shqiptarë të gjimnazit të atëhershëm, pastaj aksionet e policisë së atëhershme komuniste për rrënimin e murneve të shtëpive shqiptare, me arsyetime banale, më pastaj vijojnë ndodhitë ose përpjekjet e shqiptarëve të Kumanovës dhe Likovës për ta aktualizuar problemin e arsimit në gjuhën shqipe, edhe atë duke shkuar në Beograd si kryeqendër e Jugosllavisë federative, si dhe protestat e vitit 1988 për arsimin e mesëm në gjuhën shqipe etj., që nuk po shënohen viteve të fundit. Tërthorazi i përmenda disa prej tyre që kanë lënë gjurmë të thella dhe të pashlyeshme, në historinë e re të shqiptarëve të kësaj ane. Në të gjitha këto ngjarje të dhimbshme dhe të lavdishme, ka patur viktima në mesin e shqiptarëve. Veprimet e këtilla të mirëmenduar nga regjimi, ishin shoqëruar gjithmonë me masa represive, dhunë të pajutsifikueshme dhe me burgosjen absurde të shqiptarëve, ku nuk ndiqej madje as procedura formalo-juridike…
Pra, pse po lejojmë sot që kujtesa për njerëzit që dhanë jetën për liri, të mbetet në hije, kur pikërisht mbi sakrificën e tyre u ndërtua një pjesë e së ardhmes sonë? Ata nuk janë vetëm emra në një listë, as vetëm data në një kalendar. Ata janë histori, janë gjak, janë plagë, janë krenari, dhe janë themel i kujtesës sonë kolektive.
Kur mungon shënimi i këtyre ngjarjeve të lavdishme, nuk humbet vetëm një ceremoni. Humbet një mesazh. Humbet një mësim. Humbet një lidhje e gjallë me të kaluarën. Sepse, brezat e rinj, nëse nuk i shohin këto përvjetorë të shënuar me respekt, fillojnë ta ndiejnë historinë si diçka të largët, të ftohtë, dhe të parëndësishme. E kur historia bëhet e largët, atëherë edhe sakrifica fillon të zbehet. E kur sakrifica zvenitet, zbehet edhe vetë ndjenja e përgjegjësisë ndaj lirisë. Mungesa e shënimeve të tilla sjellë pasoja të rënda: indiferencë, harresë, deformim të së vërtetës, dhe hapësirë për ata që duan ta minimizojnë atë që ka ndodhur.
Nëse nuk i kujtojmë si duhet dëshmorët dhe zhvillimet e rëndësishme historike, nesër dikush mund të guxojë të thotë se sakrifica e tyre nuk ka pasur peshë! Nëse nuk i nderojmë si duhet, nesër dikush mund të mendojë se liria erdhi vetvetiu. Dhe kjo do të ishte padrejtësia më e madhe ndaj tyre. Kujtimi për ta, nuk është vetëm detyrë e familjeve, as vetëm i bashkëluftëtarëve, por i gjithë shoqërisë tonë, gjë me të cilën do të tregonim nivelin tonë, përgjegjësinë tone, por dhe organizimin tepër të nevojshëm si shoqëri, dhe si shqiptarë.
Është detyrë e institucioneve, e shoqërisë, e shkollave, e mediave, dhe e secilit prej nesh. Sepse, një popull që nuk i nderon të rënët e vet, rrezikon të humbasë busullën morale. Rrezikon të mësohet me harresën. Rrezikon të mos dijë më të dallojë sakrificën nga komoditeti, dhe të vërtetën nga heshtja. Prandaj, përvjetorët e rënies së tyre duhet të shënohen me respekt, me dinjitet, me praninë e institucioneve, me fjalë mirënjohjeje, dhe me kujtesë të sinqertë. Jo për formalitet. Jo për fotografi. Jo për protokoll. Por, për të mos lejuar që historia të shuhet në heshtje. Lavdia dhe kujtimi për ta duhet të mbeten të përjetshme!



