“Cili ishte krimi i tyre?” – BBC viziton shkollën në Iran ku humbën jetën 120 fëmijë pas sulmeve amerikane

Një shkollë fillore në qytetin Minab, në jug të Iranit, është shndërruar në simbol të tragjedisë më të rëndë civile të luftës SHBA-Izrael kundër Iranit, pasi një sulm ajror më 28 shkurt la të vrarë 156 persona, mes tyre 120 fëmijë.

Sipas autoriteteve iraniane, mes viktimave ishin edhe mësues, prindër dhe një grua shtatzënë. BBC vizitoi shkollën Shajareh Tayyebeh, ku ende vazhdojnë kërkimet për mbetje mortore, ndërsa mësuesit dhe familjarët kthehen çdo ditë për t’u lutur.

Mësuesja 33-vjeçare Amaineh Nademi rrëfen se dita kishte nisur normalisht. Për shkak të muajit të Ramazanit, nxënësit ishin mbledhur për lutje dhe më pas kishin hyrë në klasa. Pas njoftimeve për sulmet e para në Iran, drejtoria vendosi të mbyllte shkollën dhe u kërkoi prindërve të merrnin fëmijët.

Ajo thotë se vetëm pesë nxënëse kishin mbetur në klasën e saj kur ndodhi shpërthimi.

“Kur po dilja nga klasa, një raketë goditi shkollën. Ne u hodhëm në ajër dhe tymi i zi mbuloi gjithçka. Nuk mund t’i shihja më fëmijët që mbaja në krahë”, kujton ajo.

Sipas saj, pas shpërthimit dëgjoheshin britmat e fëmijëve dhe ndërtesa u shemb brenda pak çastesh.

Ekipet e shpëtimit mbërritën menjëherë në vendngjarje. Punonjësi i Gjysmëhënës së Kuqe Iraniane, Reza Besharati, tha se shumë viktima u gjetën të copëtuara dhe se familjet i identifikuan fëmijët nga rrobat ose këpucët.

Sipas analizës së BBC-së dhe ekspertëve të pavarur, sulmi ka shumë gjasa të jetë kryer nga forcat amerikane, pasi pranë shkollës ndodhej një kompleks i Gardës Revolucionare Islamike (IRGC), i cili u godit gjithashtu. Megjithatë, Pentagoni nuk e ka pranuar zyrtarisht përgjegjësinë dhe ka deklaruar se hetimi është ende në vazhdim.

Raportime të mediave amerikane, duke cituar burime të njohura me hetimin ushtarak, sugjerojnë se shkolla mund të jetë identifikuar gabimisht si pjesë e objektivit ushtarak për shkak të të dhënave të vjetruara të inteligjencës.

Çdo mbrëmje, familjarët mblidhen pranë varreve të fëmijëve të vrarë. Mes tyre është edhe Masoumeh Mehran Shekhabadi, e cila humbi vajzën e saj nëntëvjeçare, Setayesh.

“Ajo kishte vetëm një laps, një libër, një fletore dhe çantën e shkollës. Nuk mbante armë”.