Pavarësisht paralajmërimeve se do të fillojë pastrimi i deponisë me arsen në Llojan, procedura për përzgjedhjen e koncesionerit ende nuk ka përfunduar. Ndonëse institucionet vazhdimisht njoftojnë se tenderi është në fazën përfundimtare, ai ende nuk është shpallur, ndërsa banorët vazhdojnë të jetojnë pranë një prej pikave më të rrezikshme ekologjike në vend. Ata thonë se janë lodhur nga premtimet, ndërsa zgjidhja vazhdon të mungojë, shkruan Portalb.mk.
Pavarësisht premtimeve të vazhdueshme të institucioneve se problemi do të zgjidhet, banorët e Llojanit vazhdojnë të jenë të ekspozuar ndaj substancave të rrezikshme. Pavarësisht ankesave të tyre, institucionet deri më tani nuk i kanë dëgjuar hallet e tyre.
Një banor i Llojanit theksoi se deponia e arsenit paraqet rrezik për shëndetin e fëmijëve, pasi kundërmon erë të keqe, sidomos kur fryn era. Sipas tij, pluhuri i arsenit bartet deri te shkolla, por depozitohet edhe në arat pranë fshatit. Ai thotë se edhe uji në këtë fshat është i kontaminuar, gjë që e rrit rrezikun për shëndetin e banorëve.
“Disa herë është premtuar se do të zgjidhet çështja e minierës në fshatin tonë, por deri më tani premtimi ka mbetur vetëm në letër. Të gjithë kanë ardhur të na vizitojnë dhe të premtojnë zgjidhjen e këtij problemi, por askush nuk është marrë seriozisht me këtë rast. Fëmijët tanë po vazhdojnë të helmohen, derisa institucionet heshtin”, u shpreh një banor.
Sipas banorëve, zgjidhja e çështjes së minierës duhet të jetë prioritet i institucioneve, pasi situata është urgjente dhe kërkon veprim të menjëhershëm për të mbrojtur shëndetin e qytetarëve. Ata shtojnë se për shkak të këtij problemi, gjithnjë e më shumë banorë po largohen nga fshati.
Ndonëse në muajin maj, ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Muhamet Hoxha, deklaroi se pastrimi i mbetjeve të rrezikshme në Llojan do të nisë së shpejti, nga Ministria e Mjedisit tani nuk japin afate konkrete se kur do të ndodhë kjo.
Nga Ministria e Mjedisit thanë shkurt se, në kuadër të kompetencave të saj ligjore, do të vazhdojë të veprojë në koordinim me institucionet e tjera përgjegjëse për mbrojtjen e mjedisit dhe zbatimin e masave që parashihen në legjislacionin në fuqi.
Nga ana tjetër, nga Ministria e Energjetikës dhe Burimeve Minierale, për Portalb.mk, kanë bërë të ditur se Qeveria e Maqedonisë së Veriut ka nisur procedurën për dhënien e koncesionit për shfrytëzimin e mineraleve teknogjene në lokalitetin “Llojan”, në Komunën e Likovës. Vendimi është miratuar dhe publikuar në Gazetën Zyrtare, ndërsa Qeveria ka formuar edhe një komision i posaçëm që do ta udhëheqë procedurën e mëtutjeshme.
Sipas Ministrisë së Energjisë, Komisioni tashmë ka përgatitur dokumentacionin e tenderimit dhe ftesën publike, të cilat do t’i dorëzohen Qeverisë për miratim. Pas miratimit, do të shpallet thirrja publike për dhënien e koncesionit për eksploatimin e mineraleve teknogjene në lokalitetin “Llojan”, Komuna e Likovës.
“Komisioni ka përgatitur dokumentacionin e tenderit dhe ftesën publike, ku do t’ia paraqesë Qeverisë së Maqedonisë së Veriut për miratim. Pas miratimit të tyre, do të shpallet ftesa publike për dhënien e koncesionit për eksploatimin e burimeve minerale teknogjene në lokalitetin ‘Lojane’, Komuna e Likovës”, thonë nga Ministria e Energjetikës, duke mos precizuar afate.
Problemi me ish-minierën e pasur me arsen në Llojan dhe mbetjet e krijuara ndër vite vazhdon të jetë një nga sfidat më të mëdha mjedisore në rajonin e Likovës. Pas largimit të koncesionerit të mëparshëm pa përfunduar procesin e pastrimit, autoritetet paralajmëruan gjetjen e një operatori të ri, por procesi ende nuk ka përfunduar. Gjithashtu, uji në fshatin Llojan rezulton i kontaminuar me arsen dhe metale të rënda, duke paraqitur rrezik serioz për shëndetin e banorëve.
Në lokacionin afër deponisë me arsen në minierën e Llojanit, mësimin e ndjekin fëmijët e shkollës fillore “Rilindja”, të cilët janë në rrezik të madh për shkak të këtij lokacioni të pa rrethuar. Gjithashtu, një frekuencë të madhe të njerëzve ka edhe në stacionin hekurudhor në Tabanoc, i cili në të ardhmen duhet të shndërrohet në pikëkalim të përbashkët hekurudhor mes Maqedonisë dhe Serbisë, ku në një vend do të kryhet kontrolli policor, doganor dhe fitosanitar i udhëtarëve dhe mallrave.
Përndryshe, që nga viti 2021, Portalb.mk vazhdimisht kanë shkruar për problemin e arsenit të shpërndarë në Llojan dhe Tabanoc, që është një nga pikat më të rrezikshme ekologjike në vend. Pavarësisht premtimeve të autoriteteve, problem në terren ende nuk është zgjidhur.



