Kryetari i Komunës së Gostivarit, Valbon Limani ka reagua lidhur me ndotjen e ujit në qytetin e Gostivarit. Ai konfirmon se deri në marrjen e rezultateve zyrtare uji në qytet do të jetë i ndaluar për përdorim.
“Sipas analizave të rregullta që kryen NP “Komunalec”, mostrat e analizuara deri më tani tregojnë se parametrat e ujit kanë qenë brenda vlerave të lejuara me ligj. Pas pranimit të denoncimit, Prokuroria Publike, policia dhe institucionet e tjera kompetente kryen kontrolle shtesë dhe morën mostra të reja për analiza laboratorike.
Deri në publikimin e rezultateve zyrtare, me rekomandim të Agjencisë së Ushqimit dhe Veterinarisë, është vendosur ndalim i përkohshëm i përdorimit të ujit për pije dhe për përgatitjen e ushqimit. Apeloj që kjo masë të respektohet plotësisht. Ajo është parandaluese dhe është vendosur për mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve.
Lidhur me pretendimet se ka pasur përzierje të ujërave të zeza me ujin e pijshëm, informacionet nga NP “Komunalec” tregojnë se në lokacionin e përmendur nuk ekziston rrjet i kanalizimit. Megjithatë, të gjitha pretendimet janë objekt verifikimi dhe vlerësimin përfundimtar do ta japin ekskluzivisht institucionet kompetente.
Për momentin nuk ka asnjë dëshmi zyrtare mjekësore apo laboratorike se shqetësimet e raportuara në lukth janë shkaktuar nga uji i ujësjellësit të qytetit. Shkaku duhet të përcaktohet në mënyrë profesionale dhe mbi bazën e analizave përkatëse.
Komuna është në kontakt të vazhdueshëm me të gjitha institucionet kompetente dhe po bashkëpunon plotësisht në këtë procedurë. Sapo të jenë në dispozicion rezultatet zyrtare, ato do të publikohen për opinionin në mënyrë të plotë dhe transparente.
I ftoj qytetarët të qëndrojnë të qetë, ta respektojnë ndalimin e përkohshëm dhe të informohen vetëm nga burimet zyrtare. Në momente të tilla, përgjegjësia e institucioneve është të vërtetojnë faktet, ndërsa përgjegjësia e të gjithëve ne është të mos përhapim informacione të paverifikuara”, thotë Limani.



