FIFA sjell një risi historike, kampionët e Botërorit 2026 do të marrin unaza të arta

Finalja e Kupës së Botës 2026 nuk do të sjellë vetëm ngritjen e trofeut më të lakmuar në futboll. FIFA ka vendosur të inaugurojë një traditë të re, duke shpërblyer kampionët e botës edhe me unaza speciale kampionësh, një praktikë e frymëzuar nga sportet amerikane.

Për herë të parë në historinë e një kompeticioni të FIFA-s, fituesit e Botërorit do të marrin unaza ekskluzive kampionësh, përveç trofeut dhe medaljeve të arta.

Risia do të debutojë pas finales së së dielës, më 19 korrik, në stadiumin “MetLife” në New Jersey, ku Spanja dhe Argjentina do të luftojnë për titullin botëror.

Do të prodhohen vetëm 2.026 unaza, një numër simbolik në nder të Botërorit 2026. Prej tyre, 30 do t’u dorëzohen lojtarëve dhe stafit të ekipit fitues, ndërsa 1.996 të tjera do të hidhen në treg si produkte zyrtare të licencuara, duke u dhënë tifozëve mundësinë të zotërojnë një kujtim unik nga ky edicion historik.

Unazat do të kenë në njërën anë trofeun e Kupës së Botës, ndërsa ana tjetër do të personalizohet me identitetin e kombëtares fituese.

Çdo unazë do të përshtatet sipas masës së marrësit dhe do të shoqërohet me një certifikatë autenticiteti.

Menjëherë pas finales, kapiteni dhe trajneri i ekipit kampion do të marrin unaza simbolike për të shënuar momentin historik. Më pas, 30 unazat zyrtare do të personalizohen dhe do t’u dorëzohen fituesve në një ceremoni të veçantë, duke u kthyer në një kujtim të përjetshëm të triumfit në Botërorin 2026.

Me këtë vendim, FIFA sjell në futboll një traditë të njohur në ligat amerikane si NBA, NFL dhe MLB, duke i dhënë titullit të kampionit të botës një simbol të ri prestigji, që pritet të bëhet pjesë e historisë së turneut.