Ministrja serbe që sulmoi shqiptarët ishte pjesë e Grupit të Miqësisë Serbi-Shqipëri, në kohën e ‘muajit të mjaltit’ Rama–Vuçiç

Ministrja serbe Snežana Paunović, e cila së fundmi ka shkaktuar reagime të forta me deklaratat e saj kundër shqiptarëve, rezulton se jo shumë vite më parë ka qenë pjesë e Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri në Kuvendin e Serbisë.

Dokumentet zyrtare të publikuara nga Kuvendi serb tregojnë se emri i Paunović figuron në listën e anëtarëve të Grupit Parlamentar të Miqësisë me Shqipërinë gjatë legjislaturës 2016–2020. Grupi, i përbërë nga 25 deputetë, kishte si qëllim zhvillimin e marrëdhënieve parlamentare dhe forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve. Kohër kur Edi Rama dhe Aleksadër Vuçiç ishin në ‘muaj mjalti’ mes tyre dhe po përgatisnin projektin anti-shqiptar, “Ballakani i Hapur”.

Ky fakt bie në kontrast të fortë me retorikën që ministrja serbe ka përdorur së fundmi ndaj shqiptarëve, duke ngritur pikëpyetje mbi qëndrimet e saj politike dhe ndryshimin e diskursit ndaj Shqipërisë.

Verifikimi i dokumenteve zyrtare tregon gjithashtu se Paunović nuk ka qenë pjesë e këtij grupi në legjislaturën 2014–2016, por është përfshirë në mandatin pasues, atë të viteve 2016–2020.

Në faqen zyrtare të Kuvendit të Serbisë, emri i saj figuron qartë në listën e anëtarëve të Grupit Parlamentar të Miqësisë Serbi-Shqipëri, një strukturë e krijuar pikërisht për të nxitur dialogun dhe bashkëpunimin mes dy vendeve.

Publikimi i këtij dokumenti vjen në një moment kur deklaratat e Paunović kanë rikthyer tensionet politike dhe kanë ngjallur reagime të shumta në Shqipëri dhe Kosovë, ndërsa dokumentet zyrtare dëshmojnë se ajo ka qenë pjesë e një grupi parlamentar të dedikuar pikërisht për afrimin e marrëdhënieve mes Beogradit dhe Tiranës.

Image

© SYRI.net