Helmim masiv në Han të Elezit: Rreth 80 persona u prekën, katër prej tyre u transferuan në QKUK

Një ngjarje shqetësuese ka ndodhur në Han të Elezit, ku dyshohet se dhjetëra qytetarë u helmuan pasi konsumuan ushqime të shpejta.

Burime pranë Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) të qytetit raportuan se afërsisht 80 persona u paraqitën për të marrë ndihmë mjekësore me simptoma të helmimit ushqimor.

Dyshimet kryesore bien mbi produktet si picat dhe sendviçët, të cilat mendohet se janë burimi i incidentit.

Sipas të njëjtave burime, katër pacientë që paraqitën një gjendje më të rëndë shëndetësore u dërguan për trajtim të specializuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Fatmirësisht, gjendja e tyre aktualisht raportohet të jetë stabile.

Për të zbardhur rrethanat, një ekip nga Instituti Rajonal i Shëndetit Publik ka dalë në terren. Mësohet se inspektorët kanë kryer verifikime si në ambientet e QKMF-së, ashtu edhe në lokalin e ushqimit të shpejtë që dyshohet si vendi ku nisi rasti.