Nikolla Gruevski shpallet i pafajshëm për ndërtimin e “Pallatit të bardhë”, pas 8 viteve prona i kthehet VMRO-DPMNE-së

Gjykatësja Daniela Aleksovska-Stojanovska ka shpallur aktgjykim lirues në rigjykimin e rastit “Talir 2”, që kishte të bënte me ndërtimin e paligjshëm të selisë së VMRO-DPMNE-së.

Fillimisht, ndryshimet në Kodin Penal të miratuara nga LSDM shpëtuan pjesërisht ish-kryeministrin dhe ish-kryetarin e VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, si dhe Kiril Bozhinovskin, të cilët në gjykimin e parë ishin dënuar përkatësisht me gjashtë vjet burg dhe me dënim me kusht. Ndryshimet ligjore çuan në lirimin e plotë të Bozhinovskit.

Procesi gjyqësor vazhdoi vetëm ndaj Gruevskit, i cili që nga viti 2018 ndodhet në arrati në Budapest të Hungarisë.

Gjykatësja theksoi se, megjithëse ndryshimet në Kodin Penal dukeshin të vogla, ato ndikuan në mënyrë thelbësore në përbërjen e veprës penale.

Sipas saj, përfaqësuesit e Prokurorisë, fillimisht prokurorja Lençe Ristoska dhe më pas pasardhësi i saj Kristijan Smilevski, nuk e përshtatën aktakuzën me ndryshimet ligjore, por mbetën te të njëjtat fakte dhe prova që ishin përdorur në gjykimin e parë. Për këtë arsye, gjykata vlerësoi se akuza nuk arriti ta provojë fajësinë e të akuzuarve.

Gjykimi për këtë rast kishte nisur në vitin 2019 dhe lënda pritet të vjetërohet muajin e ardhshëm.

Në gjykimin e parë, Gruevski dhe Bozhinovski akuzoheshin për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare. Në vitin 2022, Gruevski u dënua me gjashtë vjet burg, ndërsa Bozhinovski me dënim me kusht.
Në atë kohë ishte konfiskuar edhe objekti i njohur si “Pallati i Bardhë”, për të cilin Prokuroria pretendonte se ishte ndërtuar në mënyrë të paligjshme. Sipas aktakuzës, kompania “Beton”, e cila kishte fituar tenderë shtetërorë gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së, ndërtoi pa pagesë selinë tetëkatëshe të partisë në këmbim të së drejtës për të zhvilluar një projekt hotelierik në një parcelë të partisë në qendër të Shkupit.

Ky veprim u konsiderua si donacion i paligjshëm nga një kompani që përfitonte tenderë shtetërorë.

Në vitin 2023, Gjykata e Apelit e shfuqizoi aktgjykimin e parë dhe e ktheu lëndën në rigjykim.
Ndërkohë, ndryshimet në Kodin Penal bënë që vepra për të cilën akuzohej Kiril Bozhinovski të parashkruhej, duke e nxjerrë atë nga procedura, ndërsa në proces mbetën vetëm Nikolla Gruevski dhe VMRO-DPMNE-ja si palë e prekur.
Gjykatësja që shqyrtoi këtë rast kishte qenë më parë objekt i kritikave dhe sulmeve të vazhdueshme nga VMRO-DPMNE. Rasti fillimisht udhëhiqej nga prokurorja Lençe Ristoska, e cila disa muaj më parë u largua nga lënda, ashtu si edhe nga rasti “Talir 1”, përpara se të jepte dorëheqje nga funksioni i prokurores.