Një destinacion që quhet Kosovë!

Për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg të jetojë

Sevdail Tahiri, drejtor i platformës albinfo.ch

Ka një kohë të vitit kur autostradat e Evropës marrin drejtimin e njëjtë. Targa zvicerane, gjermane, austriake, franceze… të gjitha lëvizin drejt një destinacioni: Kosovës.

Janë qindra mijëra shqiptarë që bëjnë me mijëra kilometra rrugë për të kaluar vetëm dy ose tri javë në vendlindje. Për këtë udhëtim kursejnë gjatë gjithë vitit. Planifikojnë pushimet me muaj, llogarisin çdo ditë të lejes dhe presin me padurim momentin kur do ta kalojnë kufirin.

Sepse ky nuk është një udhëtim si gjithë të tjerët.

Në Kosovë nuk shkohet vetëm për të pushuar. Shkohet për të takuar prindërit, për të përqafuar gjyshërit, për të pirë kafen me shokët e fëmijërisë dhe për t’i dhënë vetes një ndjenjë që nuk e gjen askund tjetër.

Vera në Kosovë ka ritmin e saj. Mbrëmjet zgjasin deri vonë, kafiteritë mbushen me njerëz, sheshet marrin jetë, ndërsa fundjavat janë stina e dasmave. Muzika dëgjohet nga larg, oborret mbushen me mysafirë, familjet ribashkohen dhe gëzimi bëhet kolektiv. Për shumë mërgimtarë, vera nuk mund të imagjinohet pa marrë pjesë në një dasmë të familjes apo të miqve.

Po aq karakteristike janë edhe rrugët e mbushura me vetura luksoze me targa të huaja. Për disa janë simbol suksesi, për të tjerë thjesht një shpërblim për mundin e një viti pune në mërgim. Por, në fund të fundit, askush nuk vjen në Kosovë që të tregojë veturën. Vjen sepse dëshiron të tregojë se nuk e ka harruar vendin e vet. Vjen sepse, pavarësisht jetës që ka ndërtuar jashtë, ka nevojë të rikthehet aty ku janë rrënjët.

Për fëmijët e lindur në Zvicër, Gjermani apo Austri, këto dy ose tri javë janë ndoshta mësimi më i rëndësishëm i identitetit. Ata njohin kushërinjtë, dëgjojnë shqipen në çdo cep, luajnë në oborret ku kanë luajtur dikur prindërit e tyre dhe krijojnë kujtime që do t’i shoqërojnë gjithë jetën.

Sigurisht, Kosova nuk është pa probleme. Diaspora i sheh rrugët e papërfunduara, trafikun, mungesën e rendit apo sfidat e përditshme. Por dashuria për vendlindjen nuk matet me perfeksionin e saj. Ajo matet me dëshirën për t’u kthyer, vit pas viti.

Dhe kjo është mrekullia e verës kosovare. Njerëz që jetojnë në një nga vendet më të zhvilluara të botës, zgjedhin të kalojnë pushimet aty ku kanë lënë një pjesë të zemrës.

Kur vera mbaron, kolonat krijohen sërish, këtë herë në drejtimin e kundërt. Valixhet mbushen me djathë, ajvar, speca, fotografi dhe mall. Përqafimet bëhen më të gjata, lotët më të fshehtë.

Dhe, si çdo vit, mbetet e njëjta fjali që thuhet në prag të nisjes:

“Ruajuni… shihemi verën tjetër.”

Sepse për mërgimtarin, Kosova nuk është thjesht destinacioni i pushimeve. Është adresa ku kthehet zemra, sado larg të jetojë.