Federata Egjiptiane e Futbollit ka depozituar një ankesë zyrtare në FIFA pas eliminimit nga Argjentina në fazën e 1/8-ave të Kupës së Botës 2026, duke kërkuar hetim të plotë dhe masa disiplinore ndaj trupës së arbitrimit.
Sipas raportimeve të RMC Sport dhe TyC Sports, egjiptianët pretendojnë se janë dëmtuar rëndë nga vendimet e arbitrit francez François Letexier dhe ndihmësve të tij, për të cilët kërkojnë pezullim deri në fund të turneut.
Në ankesë përmenden dy episode vendimtare. I pari është anulimi i golit të Mostafa Zikos për rezultatin 2-0, pasi arbitri sinjalizoi faull të Marwan Attias në nisje të aksionit, një vendim që Egjipti e cilëson të pabazuar.
Momenti i dytë lidhet me një penallti të padhënë ndaj Mohamed Salahut në aksionin që parapriu golin e tretë të Argjentinës, të shënuar nga Enzo Fernandez. Sipas Federatës Egjiptiane, VAR-i nuk ndërhyri dhe nuk e shqyrtoi fare episodin.
Ankesa ka shtuar polemikat rreth arbitrimit të kësaj sfide, ndërsa tashmë pritet reagimi i FIFA-s për kërkesën e Egjiptit dhe nëse do të ndërmerren masa ndaj arbitrave të ndeshjes.
© SYRI.net



