Si u realizua shpërngulja e shqiptarëve nga Manastiri dhe Pellagonia?

SI U REALIZUA DYNDJA MASHTRUESE E SHQIPTARËVE TË MANASTIRIT DHE TË GJITHË PELLAGONISË? CILI ISHTE ROLI I MARRËVESHJES APO TRAKTATIT MES TRI SHTETEVE: JUGOSLLAVISË, GREQISË DHE TURQISË? KUSH ISHTE ROLI I HOXHALLARËVE NË NDIKIMIN DHE BINDJEN PËR T’U LARGUAR ME QINDRA MIJËRA SHQIPTARË NGA KËTO TERRITORE DHE SI I BINDNIN QË NGA SHQIPTARË TË KONVERTOHESHIN NË TURQ?!

Edhe sot, kur shkojmë në Turqi, në kryeqytetin me 24 milionë banorë, Stamboll, në vizitë te ndonjë i afërm, menjëherë hapet tema e largimit dhe rrëfimet se si, përmes mashtrimit, shqiptarët binden se janë myslimanë dhe se vendi i tyre i jetesës është Turqia. Hoxhallarëve hallall u qoftë.

Turqia u ngatërrua shumë keq kur u largua nga rruga e Ataturkut, përmes kryetarit të asaj kohe, Inönü, kurse realizues i këtij plani të errët, përmes Bashkimit Sovjetik, hyn në bisedime kryeministri turk i atëhershëm, Menderesi, me Aleksandar Rankoviqin, i quajtur si Leka, e ky duke marrë bekim nga kryetari i Jugosllavisë për të dëbuar shqiptarët, Josip Broz Tito.

Marrëveshja është mbajtur në një ishull të Greqisë dhe aty është sjellë vendimi dhe është nënshkruar nga të tria palët: nga Rankoviqi, Menderesi dhe nga mbreti i Greqisë, për këmbimin e popujve dhe rrëmbimin e territoreve, siç ndodhi me Çamërinë. Ortodoksët e Thrakisë i sollën në territoret e shqiptarëve, të cilët me forcë u dëbuan nga vatrat e tyre.

Qendra për Maqedoninë, ku shqiptarët brenda natës bëheshin turq, ishte Manastiri. Kështu kishte vendosur Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Jugosllavisë. Nga të gjitha anët, edhe nga Sanxhaku i sotëm, vinin në Maqedoninë Socialiste, e që këtu ishte kampi për t’i deportuar për në Anadoll.

Avokati në fjalë kishte nënshkruar traktat me Qeverinë e Jugosllavisë Socialiste Federative që deri në një t’i kthente në turq dhe t’i përcillte për në Anadoll. Ai u pasurua dhe u bë bile edhe drejtues partie më vonë.

Nga viti 1952 e deri në vitin 1968, nga Manastiri me rrethinë janë shpërngulur 38.000 shqiptarë për në Turqi, ndërsa nga i gjithë rajoni i Pellagonisë mbi 120.000 e më shumë. Mund ta merrni me mend sa popullatë, për disa vjet, është zhdukur nga atdheu i tyre.

Në një takim që pata me vajzat e hallës në Stamboll, në dorë më ra ky dokument i vizave dhe formulari në gjuhën serbokroate se si i trajtonte shteti jugosllav. Njëra nga vajzat e hallës, që ka lindur në rrethinën e Krushevës, më kërkoi që ta ndihmoja ta kthente shtetësinë dhe pasaportën, sepse ajo ekziston në librin e amzës, por çfarë, këta janë më shovinistë se grekët dhe se Rankoviqi; as që duan të dëgjojnë.

Aty është një foto e pajtonxhiut të fundit, i cili ka shkrepur fotografi duke i përcjellë, dhe në foton e rrallë janë njerëzit, një pjesë që bëhen gati të hipin në vagonët e trenit, të mbuluar me kashtë, si për kafshët. Shqiptarëve nuk u lejohej të merrnin me vete lekë, ar, ndërsa pasuritë e patundshme ua konfiskonte shteti komunist dhe ua merrte përmes OZN-së. Ashtu ishte fati i shqiptarëve të mjerë, që ranë në grackat e mashtrimeve dhe morën dhe të huaj; gjysma nuk e përjetuan.

Në vitet ’60, në Turqi shpallet grusht shteti dhe burgosen kryetari Inönü dhe kryeministri Menderes, dhe ndërpritet kjo marrëveshje famëkeqe, por lë pas vetes pasoja të mëdha në krahinën e Nishit, Mollën e Kuqe, krahinën e Sanxhakut dhe Maqedoninë, e cila u zbraz nga shqiptarët, gati, po thuajse, mbi 50% e popullatës shqiptare. E gjithë kjo pas, demek, Luftës Nacionalçlirimtare. E kujt ka qenë ajo luftë dhe cilin nacion ka çliruar?

Shqiptarët edhe kësaj radhe kanë mbetur humbës, pa atdhe e pa gjuhë.

Shkroi dhe dokumentoi: Gazetari Fergim Demiri, INA