Samiti në Turqi: Zelensky thirrje NATO-s për sisteme të mbrojtjes ajrore pas sulmeve intensive ruse

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, pritet të shfrytëzojë samitin e NATO-s në Turqi për t’u bërë thirrje aleatëve të Kievit që të përshpejtojnë furnizimin me sisteme të mbrojtjes ajrore, të cilat, sipas tij, janë jetike për mbrojtjen e vendit nga sulmet gjithnjë e më intensive ruse.
Apeli i Zelenskyt vjen pas dy valëve të rënda të sulmeve ruse me raketa ndaj kryeqytetit ukrainas, Kiev, brenda më pak se një jave. Sulmet goditën ndërtesa banimi dhe lanë të paktën 50 civilë të vrarë, duke rritur shqetësimet për përshkallëzimin e konfliktit, shkruan BBC, transmeton Klankosova.tv.

Gjatë samitit në Ankara, Zelensky pritet të zhvillojë edhe një takim të rëndësishëm me presidentin amerikan, Donald Trump. Ai synon ta bindë liderin amerikan se sulmet e fundit të Rusisë janë shenjë e dobësisë dhe jo e forcës, duke argumentuar se presidenti rus, Vladimir Putin, duhet të përballet me presion më të madh ndërkombëtar për t’u angazhuar në negociata që do të çonin drejt një paqeje “dinjitoze”.

Ndërkohë, Ukraina ka intensifikuar sulmet e saj me dronë me rreze të gjatë veprimi ndaj objektivave në territorin rus. Sulmet kanë goditur rafineri nafte dhe objekte ushtarake, duke shkaktuar mungesa të konsiderueshme të karburantit dhe ndërprerje të energjisë elektrike në disa rajone të Rusisë.