Zjarri në Koçan: Ekspertiza e telefonave zbuloi rrjedhje informacioni mbi kontrollet e MPB-së dhe DAP-iT

Në seancën e sotme gjyqësore për rastin “Pulse”, ku u paraqitën prova (listat e thirrjeve dhe mesazheve) nga ekspertizat e telefonave, u prezantuan bisedat e të pandehurit kryesor Dejan Jovanov dhe djalit të tij, Mihajllo Jovanov, i akuzuari i tretë në këtë rast, me përfaqësues të institucioneve dhe punonjës të tyre, transmeton Portalb.mk.

Nga një pjesë e komunikimit mes Jovanovëve mund të shihej se Mihajllo e njoftonte babanë e tij për një bastisje, përkatësisht për vizitën e zyrtarëve policorë në diskotekë në kuadër të një kontrolli për praninë e të miturve. Dejan Jovanov iu përgjigj:

“Në rregull, le të jenë të pranishëm, ka shumë të mitur, ne gjithsesi do ta çojmë kompaninë në falimentim.”

U prezantua edhe komunikimi lidhur me njoftimin për një kontroll nga inspektorët e Drejtorisë së të Ardhurave Publike (DAP) në diskotekë. Pikërisht këta inspektorë aktualisht janë nën hetim në Koçan dhe ndaj tyre ende nuk është ngritur aktakuzë.

Komunikime të tilla kanë vazhduar për rreth pesë vjet, nga viti 2020 deri në momentin e ngjarjes tragjike në vitin 2025.

Zjarri në “Puls” shpërtheu më 16 mars 2025 gjatë një performance të grupit DNK dhe konsiderohet një nga tragjeditë më të rënda në historinë e re të vendit. Me seancën e sotme vazhdon procedura e provave me dëgjimin e dëshmitarëve të propozuar nga Prokuroria, e cila përfaqësohet nga një ekip prej 15 prokurorësh publikë.

Për zjarrin në “Puls” janë të akuzuar 35 persona fizikë dhe tre persona juridikë. Ndër ta janë pronari i “Puls”, persona të afërt të tij, inspektorë të institucioneve shtetërore, ish-ministra dhe pjesëtarë të agjencisë që siguronte kabarenë dhe pronari i saj.

Në fillim të procesit gjyqësor, të gjithë u deklaruan se nuk ndihen fajtorë dhe kundërshtuan tezën se ekziston lidhje shkak-pasojë midis veprimeve të tyre dhe shkaktimit të zjarrit fatal.