Sqarime lidhur me vlerësimet rreth demonstratave të vitit 1981 në bisedën me historianin Milivoj Beshlin

(Disa sqarime lidhur me vlerësimet rreth demonstratave të vitit 1981 në bisedën me historianin Milivoj Beshlin (emituar më 5 korrik)
Veton SURROI
1. Në rrjete sociale prej mbrëmë është shpërndarë gabimisht interpretimi se kam deklaruar se “nuk kishte arsye për organizimin e demonstratave të vitit 1981”. Mbi këtë konstatim të pasaktë është ndërtuar më pas një zinxhir reagimesh të ndryshme — prej atyre tradicionalisht dashakeqe deri tek ato të njerëzve me integritet që ndien nevojë të polemizojnë me një pohim të tillë.
2. Ky interpretim i gabuar buron nga një ngatërrim mes dy koncepteve të ndryshme: arsyes historike dhe shkasit të drejtpërdrejtë politik. Unë kam folur për shkas, jo arsye. Në bisedën e tretë me historianin Milivoj Beshlin, pjesa përkatëse rrjedh kështu:
“Beshlin: I përmendët demonstratat e vitit 1981. Ato u cilësuan kundërrevolucion, u shtypën shumë brutalisht. Në thelb, regjimi ushtarak që u fut pas vitit 1981 nuk u hoq kurrë plotësisht nga Kosova. Ajo ushtri mbeti aty.
Motivet kanë qenë të ndryshme, madje edhe ne në historiografi deri më sot, të paktën unë nuk kam parë nëse ka pasur ndikime të jashtme, nëse sovjetikët ndikuan në provokimin e atyre demonstratave, në çfarë mënyre, është thjesht e vështirë të thuhet.
Surroi: Sepse nuk kishte asnjë shkas që të organizoheshin demonstratat. Demonstratat organizohen qoftë afër, qoftë gjatë ndryshimeve kushtetuese apo partiake…
Beshlin: Kjo është ajo që thamë, viti 1968 kishte kuptim, disi gjithçka po vlonte para syve të publikut, po paralajmëroheshin ndryshime të mëdha, kështu që kishte kuptim, por 1981-tën…”
3. Pra, historianin Beshlin e kam pyetur, si njohës të thelluar të arkivave serbe, për një çështje konkrete historike: pse demonstratat e vitit 1981 shpërthyen në atë moment, pa një shkas të drejtpërdrejtë të lidhur me procese të hapura kushtetuese apo politike, siç kishte ndodhur më 1968. Kjo nuk është pyetje për arsyet e pakënaqësisë në Kosovë, por për dinamikën dhe momentin e shpërthimit të tyre
Të njëjtën pyetje ua kam bërë edhe dy bashkëbiseduesve të tjerë vitin e kaluar: Faton Topallit, i cili ishte anëtar i organizatës që u vu në krye të demonstratave të vitit 1981, dhe Azem Vllasit, pjesëtar i udhëheqjes së Kosovës që u angazhua për të penguar zhvillimin e mëtejmë të tyre.
4. Vlerësimi i secilit prej këtyre këndvështrimeve është i rëndësishëm për ndërtimin e një rrëfimi kritik historik të asaj periudhe. Një analizë e tillë ndihmon të kuptohet, për shembull, se si pas vitit 1981 regjimi i Serbisë arriti ta kriminalizojë debatin kushtetues për Kosovën.
Siç ka dalë në këtë bashkëbisedim (dhe në biseda të tjera para tij), opsioni për Republikën e Kosovës ishte paraqitur edhe formalisht nga kryetari i KQ të LK të Serbisë, Dobrivoje Radosavleviq–Bobi, pas rënies së A. Rankoviqit, e më pas edhe në periudhën e udhëheqjes reformiste të Marko Nikeziqit dhe Latinka Peroviqit. Kjo kërkesë ishte pjesë e debatit për ndryshimet kushtetuese nën udhëheqjen e Fadil Hoxhës dhe u artikulua nga qytetarë në qytete e fshatra të ndryshme të Kosovës.
Më 1981, ndërkaq, ky opsion kushtetues u shndërrua nga pushteti në arsye për dhunë fizike ndaj qytetarëve të Kosovës, burgosje, përjashtime nga puna dhe përndjekje kolektive.
5. Nëse ka ndonjë vlerë që mund të dalë nga reagimet ndaj një interpretimi të gabuar, shpresoj të jetë nxitja që të lexojmë dhe dëgjojmë më shumë, më me kujdes dhe me më shumë përgjegjësi. Leximi historik kërkon shumë më tepër se një postim social.

*Status facebook’u i diplomatit, analistit dhe publicistit Veton Surroi