Qëndrimet politike që përfaqësojnë dhe vendimet që marrin prej kohësh nuk janë më baza e vetme mbi të cilën mbështeten kritikat ndaj grave në skenën politike të vendit. Të sulmuara për pamjen e tyre dhe përballë fyerjeve të drejtuara ndaj familjeve të tyre, politikanet në Maqedoninë e Veriut gjenden në një kufi të paqartë mes kritikës së ligjshme dhe gjuhës së urrejtjes, e cila hedh hije mbi demokracinë. Edhe pse shpesh të ndara nga politikat dhe ideologjitë, gratë në politikë që ndanë përvojat e tyre për Kolegium kanë një përvojë të përbashkët: sa më e madhe të jetë përgjegjësia e tyre politike, aq më të mëdha janë fyerjet dhe sulmet me të cilat përballen, transmeton Portalb.mk.
Raporti i Fondacionit “Metamorfozis” për vitin 2025 tregon se gjinia është baza e tretë më e shpeshtë e gjuhës së urrejtjes në Maqedoninë e Veriut. Nga gjithsej 138 incidentet e regjistruara të gjuhës së urrejtjes në mediat tradicionale dhe rrjetet sociale, pothuajse 20 përqind kanë qenë mbi bazë të gjinisë.
Edhe pse Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi nuk mban evidencë nëse parashtruesit e ankesave janë të përfshirë apo jo në politikë, nga atje konfirmojnë se pranojnë raportime nga gra për diskriminim dhe ngacmim në hapësirën publike dhe në media.
Sipas Komisionit, gratë, sidomos ato më aktive në politikë, në media dhe në jetën publike, janë më të rrezikuara nga gjuha e urrejtjes me bazë gjinore, e cila shpesh përfshin stereotipe seksiste, fyerje për pamjen fizike dhe kërcënime, që kanë për qëllim heshtjen dhe dekurajimin e tyre nga veprimi publik.
Me çfarë sulmesh përballen gratë në politikë?
Gjuha e urrejtjes është “një shoqërues i vazhdueshëm i postit publik, sidomos kur bëhet fjalë për gratë”, thotë zëdhënësja e Qeverisë, Маrija Miteva. Funksioni i zëdhënëses së Qeverisë vetëm sa i ka dhënë më shumë dukshmëri sulmeve dhe diskreditimit. Por, siç thotë ajo për Kolegium.mk, ato nuk kanë filluar me emërimin e saj në këtë pozicion, por shumë më herët.
“Që në periudhën kur isha aktive në parti, kur punoja në komunikimin politik si zëdhënëse e partisë, madje edhe gjatë periudhës së shkurtër si deputete në Kuvendin e Maqedonisë, pra që nga momenti i parë kur fillova të dal më intensivisht në publik, u përballa me të njëjtën qasje. Ajo që ndryshon është vetëm intensiteti”, shpjegon Miteva.

Gjuhën e urrejtjes më së shpeshti e has në hapësirën online, ku, siç thotë ajo, sjellja e njerëzve është krejtësisht ndryshe nga ajo në jetën reale. Anonimiteti i mbrojtur nga tastiera e bën të pamundur të dallosh se kush qëndron pas sulmeve “një individ, një aktivist politik, një grup i organizuar apo dikush që thjesht ka vendosur të abuzojë me anonimitetin”.
Miteva thekson se ndonjëherë në mesin e atyre që nuk janë anonimë dhe ofendojnë shpesh ka njerëz me foto të familjes, fëmijëve dhe nipërve e mbesave të tyre. Por për të zhgënjim më i madh janë komentet negative që vijnë nga gratë.
“Ajo që më zhgënjen më shumë nuk janë sulmet nga personat me të cilët nuk ndajmë bindje të njëjta politike. Kjo është një pjesë legjitime e jetës publike. Më e vështirë është kur shoh gra që përdorin fyerje ndaj grave të tjera. Sidomos kur bëhet fjalë për zonja të moshuara, njerëz që me përvojën e tyre jetësore duhet të jenë shembull dinjiteti, mençurie dhe mbështetjeje të ndërsjellë”, shpjegon Miteva.
Raportime për kërcënime, por pa rezultat
Foto të ndërtesës ku jeton, të bëra me prani fizike, janë publikur në rrjetin social X, thotë ish-ministrja e mbrojtjes dhe deputete e LSDM-së opozitare, Sllavjanka Petrovska. Ky është sulmi i parë më i rëndë me të cilin ajo është përballë dy vjet më parë dhe të cilin, siç thotë ajo, e ka raportouar menjëherë në polici.

“Raportimi u pranua sipas procedurës, por nuk ka kurrfarë rezultati. Pas një viti dorëzova një kërkesë me shkrim për të marrë informacion se deri ku ka arritur hetimi eventual, por deri më sot nuk kam marrë asnjë përgjigje”, shton Petrovska.
Por, sulmet kundër saj nuk kanë mbaruar me kaq.
“Në korrik të vitit 2025 më kërcënuan për jetën personalisht para shtëpisë time dhe këtë e raportova në Ministrinë e Punëve të Brendshme dhe as për këtë rast nuk kam marrë asnjë njoftim”, shtoi ajo.
Gjuha e urrejtjes kundër saj ishte më e dukshme gjatë periudhës kur ajo ishte në krye të Ministrisë së Mbrojtjes, por edhe gjatë funksionit të saj si zëvendësministre shtesë e punëve të brendshme.
“Ato ishin posaçërisht të dukshme dhe shumë të shpeshta kur unë qëndrova publikisht në mbështetje të mbrojtjes së Ukrainës dhe kur si ministre propozova vendime dhe qëndrova në mbështetje të tyre, e që kishin të bënin me dhurimin e ndihmës dhe pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Bote të organizuara që lidheshin me qendra ruse, por edhe me partitë e atëhershme opozitare, më sulmonin çdo ditë në rrjetet sociale”, theksoi deputetja, pamja fizike e së cilës është shpesh “bazë” për komente fyese që, siç thotë ajo, në përgjithësi janë seksiste dhe mizogjiniste.
Gjuha e urrejtjes mbi bazë gjinore bëhet edhe me një bazë etnike, por zëvendësministrja e transportit dhe lidhjeve, Kaltrina Zekolli Shaqiri, deri më tani nuk e ka rapotuar.

“Fokusi im është i drejtuar te puna, megjithëse mendoj që ky fenomen meriton një vëmendje më të madhe dhe trajtim më serioz nga të gjithë aktorët shoqërorë”, thotë Zekolli Shaqiri.
Kufijtë e debatit normal politik më së shumti zhvendosen gjatë periudhës parazgjedhore, kur, siç shpjegon ajo, askush nuk kursehet, e sidomos gratë në politikë.
Por, roli zyrtar i Zekolli Shaqirit nuk është i vetëm; si nënë dhe bashkëshorte ajo shpjegon se fyerjet mbartin një ngarkesë shtesë që ndonjëherë është e vështirë të fshihet.
“Por, përpiqem të jem e fortë dhe të mos lejoj që këto komente të ndikojnë në punën time. Sigurisht që kjo shkakton shqetësim edhe tek familja dhe të dashurit e mi, sidomos kur bëhet fjalë për akuza dhe komente të pabaza”, shton zëvendësministrja.
Deputetja nga VLEN, Saranda Imeri Stafai e sheh veten si një nga shënjestrat më të shpeshta në mediat sociale, jo vetëm nga profilet e rreme, por edhe nga kolegët deputetë, kryetarët e degëve dhe zyrtarë të tjerë që kanë përdorur gjuhë urrejtjeje ndaj saj.

Imeri-Stafai ka kërkuar edhe mbrojtje ligjore, kështu që ka ngritur padi kundër një deputeti për fyerje. Por çështja e saj ka të ngjarë të ketë ngecur në labirintet burokratike.
“Pothuajse të gjitha gratë tërhiqen, sidomos nga paraqitjet publike, për shkak të fyerjeve të tilla. Por, tek unë nuk ndikon. Nëse hesht askush nuk do të reagojë. Kjo është njësoj si të mos bësh asgjë, ndërsa gratë kanë nevojë për guxim dhe vendosmëri”, përfundon deputetja.
Dashuria e saj për muzikën, si profesion i dytë, e bën atë më të ndjeshme ndaj sulmeve verbale, fyerjeve dhe etiketimeve.
“Komentet kryesisht përbëhen nga etiketime, fyerje dhe sulme të ndryshme që lidhen me profesionin tim si këngëtare. Shpesh has fyerje të tilla si: “Merr mikrofonin, nuk je për politikë”. Gjithashtu, këto komente nuk i referohen punës dhe pikëpamjeve të mia, por synojnë të më diskreditojnë bazuar në profesionin tim”, thekson Imeri–Stafai.
Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi mund të veprojë edhe me iniciativën e vet
Nga Komisioni për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Diskriminimi thonë se pavarësisht profesionit gratë janë gjithmonë më të ekspozuara ndaj fyerjeve, kërcënimeve dhe fjalëve degraduese sesa burrat, ndërsa kjo ka një efekt të dyfishtë.
Kjo gjuhë e dëmton një grua konkrete, por në të njëjtën kohë u dërgon një mesazh të gjitha grave se pjesëmarrja e tyre në jetën publike, politike ose profesionale nuk është e mirëpritur, thonë nga Komisioni
Ky organ mund të veprojë edhe me iniciativën e vet, pra edhe kur personi në fjalë nuk ka dorëzuar ankesë, por siç theksojnë ata, kjo varet nga serioziteti i deklaratave.
Kur bëhen deklarata ofenduese, seksiste ose përçmuese kundër një gruaje në publik, Komisioni vlerëson nëse shënjestra është ideologjia e saj politike apo nëse i referohet karakteristikave të saj personale, seksit, gjinisë, përkatësisë etnike, moshës ose një baze tjetër të mbrojtur ligjërisht. Nga atje thonë se është posaçërisht e rëndësishme nëse përmes gjuhës së urrejtjes nxiten paragjykime, stereotipe ose urrejtje ndaj një grupi më të gjerë njerëzish.
“Për shembull, nëse një grua në politikë sulmohet me mesazhe që e nënçmojnë atë sepse është grua dhe të cilat në të njëjtën kohë dërgojnë një mesazh se gratë nuk duhet të marrin pjesë në politikë ose në jetën publike, atëherë dëmi nuk kufizohet vetëm tek individi, por reflektohet tek të gjitha gratë si grup shoqëror. Në raste të tilla ekziston një interes më i madh publik që Komisioni të reagojë edhe pa një ankesë zyrtare”, thuhet në përgjigje.
Nga perspektiva e barazisë dhe mosdiskriminimit nga Komisioni shpjegojnë se fenomene të tilla nuk janë problem vetëm për viktimat individuale.
“Ato kanë pasoja më të gjera shoqërore sepse kontribuojnë në ruajtjen e pabarazive gjinore dhe krijimin e një mjedisi armiqësor për gratë në përgjithësi.”
Stevkovska: Gjithnjë e më shumë dhunë, e pothuajse aspak përgjegjësi
Këto fyerje krijojnë një mjedis me pengesa dhe presione shtesë që ndikojnë drejtpërdrejt në pjesëmarrjen e grave në jetën publike, thotë aktivistja e barazisë gjinore Marta Stevkovska, e cila punon si hulumtuese në Rrjetin Stella.
“Kjo është rezultat edhe i narrativave rreth grave në shoqërinë tonë në përgjithësi. Jemi dëshmitarë të një dhune në rritje online, por edhe dhune fizike dhe femicid, ndërkohë që pothuajse nuk ka aspak përgjegjësi. Lejohet normalizim dhe relativizim i dhunës, ndërsa pikërisht dhuna nuk fillon gjithmonë me një sulm fizik, por me një koment mizogjin, një “shaka” seksiste ose gjuhë urrejtjeje me bazë gjinore”, shton ajo.
Duke e theksuar pjesëmarrjen e ulët të grave në pozicione kyçe ajo thekson “sa pak punë po bëhet për barazi gjinore”. Këtë qëndrim ajo e mbështet me raportin e fundit nga Parlamenti Evropian mbi progresin e vendit, i cili bën thirrje për miratimin e Ligjit për Barazinë Gjinore, Ligjit për Marrëdhëniet e Punës dhe Ligjit për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi në Vendin e Punës, në përputhje me standardet evropiane.
“Me këtë do të përmirësohej cilësia e jetës për gratë dhe do të arrihej përparim në aspektin e barazisë gjinore, sidomos në aspektin e përfshirjes së tyre ekonomike, politike dhe sociale”, shton Stevkovska.
Përjashtim nga prania e ulët e grave në pozicione të larta në vend është posti i presidentit, të cilin dy vjet më parë e fitoi Gordana Siljanovska Davkova. Por, aktivistja Stevkovska thekson se numri i grave në nivelet më të ulëta është dukshëm më i ulët.
Edhe pse legjislacioni në Maqedoni parasheh të paktën 40 përqind përfaqësim të gjinisë më pak të përfaqësuar në listat e kandidatëve, organizatat ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara dhe Këshillin e Evropës, si qëllim përfundimtar e caktojnë përfaqësimin e barabartë, ose 50 përqind, të grave dhe burrave në vendimmarrjen politike.
“Kjo, së bashku me pikëpamjet tradicionale mizogjine dhe stereotipike të grave se “vendi i tyre nuk është në politikë”, për fat të keq kontribuon që ato të sulmohen shpesh me komente negative, gjuhë urrejtjeje dhe madje edhe dhunë fizike, siç ishte rasti me ish-kryetaren e Qytetit të Shkupit, Danella Arsovska”, përfundoi bashkëbiseduesja jonë.
Studim i rastit: Gjuha e urrejtjes me bazë gjinore gjatë zgjedhjeve presidenciale të vitit 2024
Presidentja aktuale, Gordana Siljanovska Davkova, u përball me fjalime toksike gjatë zgjedhjeve të vitit 2024 kur ajo e mori këtë post. Kjo mbështetet nga studimi i rastit nga Instituti për Studime të Komunikimit (ISK), i cili thekson se zgjedhjet e fundit presidenciale u karakterizuan nga një diskurs i nxehtë në mediat sociale shpesh i drejtuar kundër kandidateve femra.
Një nga fyerjet më të përdorura kundër Gordana Siljanovska Davkovas ishte kualifikimi “Baba Goga”, i cili u shfaq në një numër të madh komentesh. Ky term nuk ishte vetëm një fyerje e lidhur me moshën e saj, por u përdor edhe si një mjet për ta tallur përfshirjen e saj politike, duke e krahasuar shpesh atë me politikanë meshkuj, siç është Presidenti i SHBA-ve Joe Biden, në një mënyrë përçmuese, thonë nga ISK në studimin e tyre.
Analiza vërtetoi se mesazhet toksike ishin më të përhapura në platformën sociale Facebook, ku u konstatuan 55 përqind e atyre që ata i përshkruajnë si mesazhe jashtëzakonisht toksike.
Instituti ka konstatuar se kandidatja e atëhershme e partisë politike “ E Majta”, Biljana Vankovska, nuk ka qenë cak i të njëjtit nivel sulmesh si kolegia e saj Siljanovska Davkova. Ky ndryshim mund t’i atribuohet faktit se Vankovska nuk kaloi në raundin e dytë të zgjedhjeve dhe faktit se ajo nuk ishte e lidhur me asnjërën nga dy partitë kryesore politike, VMRO-DPMNE ose LSDM, thuhet në raport.
Megjithatë, sipas ISK, edhe ato pak mesazhe janë shqetësuese, sepse siç thonë nga atje, ato kanë potencial të ndikojnë në perceptimin e publikut përmes përhapjes së gënjeshtrave ose përmes frikësimit.
Sipas Institutit kombinimi i dëmshëm i seksizmit, diskriminimit mbi bazën e moshës dhe fyerjeve politike e thekson nevojën për praktika më të mira të moderimit në mediat sociale, si dhe përpjekje më të mëdha për promovimin e një diskursi politik që do të nënkuptojë respekt dhe vlerësim.
Për qëllimet e analizës janë analizuar mbi 1.600 komente në mediat sociale – mesazhe nga seksionet e komenteve, jo nga postimet zyrtare të bëra nga partitë politike ose vetë kandidatët.
Ky shkrim është përgatitur në kuadër të projektit Rrjeti për diversitet 2.0 – Agjenda e re.
Autore: Vanja Micevska



