“Do ta transferoja nesër”, ikona e Real Madridit i bën thirrje klubit të nënshkruajnë me Olisen

Edhe pse Real Madrid ka mohuar zyrtarisht interesimin për Michael Olise, emri i sulmuesit të Bayern Munich vazhdon të lidhet me një transferim të mundshëm në “Santiago Bernabeu”.

Për këtë çështje ka folur edhe legjenda e Real Madridit, Ivan Zamorano, i cili beson se klubi madrilen duhet të bëjë gjithçka për të siguruar shërbimet e një futbollisti me potencial të jashtëzakonshëm si Olise.

“Do ta transferoja Olisen që nesër, nëse do të isha te Real Madridi. Do të luaja me Olisen, Mbappen dhe Viniciusin në sulm”, deklaroi Zamorano.

Ish-sulmuesi kilian shtoi se, përveç Olises, do të dëshironte edhe afrimin e Enzo Fernandez për repartin e mesfushës.

“Do ta sillja edhe Enzo Fernandez dhe do ta vendosja në mesfushë. Kemi tashmë një mbrojtës të djathtë dhe një qendërmbrojtës, kështu që me këto afrime do të kishim një skuadër të shkëlqyer”, u shpreh ai.

Pavarësisht se e pranon se dy sezonet e fundit nuk kanë qenë në nivelin e pritshmërive të klubit, Zamorano beson se Real Madridi do të rikthehet fuqishëm në sezonin e ardhshëm.

“Jam optimist për sezonin e ardhshëm. Kemi pasur dy sezone të vështira, por përforcimet që janë përmendur këtë verë duken shumë interesante”, tha ai.