Gjyqësori dhe Prokuroria Publike vazhdojnë të mbeten institucionet me besim më të ulët në Maqedoninë e Veriut me 3.5% dhe 3.6%, ndërsa qytetarët besim më të lartë kanë ndaj ushtrisë (6%) dhe bashkësive fetare (5.9%). Këtë mes tjerash e tregon hulumtimi i fundit i bërë nga instituti për Demokraci “Societas Civitas”. Besimi në parlament u rrit simbolikisht nga 4.6 në 4.8%, shkruan Portalb.mk.
Ndërkohë sa u përket temave me më së shumti përparësi, qytetarët i japin rëndësi çështjeve ekonomike dhe çështjeve që lidhen me sundimin e ligjit. Rritja ekonomike zgjidhet si përparësi nga 29% e qytetarëve, sundimi i ligjit dhe lufta kundër korrupsionit nga 22%, mirëqenia sociale/cilësia e jetës nga 20%. Ndërkohë integrimi evropian ka vetëm 17%.
Vetëm 28% e qytetarëve besojnë se vendi po lëviz në drejtim të duhur, ndërsa 51% besojnë se po lëviz në drejtimin e gabuar.
Derisa qytetarët thonë se hapja e parlamentit dhe përfshirja e qytetarëve në punën e parlamentit mbeten fusha që duhen forcuar më tej. Shumica e qytetarëve (57%) e perceptojnë parlamentin si pjesërisht ose plotësisht të mbyllur, ndërsa 87% nuk kanë kontaktuar kurrë me një deputet.
Në periudhën 2024-2026, nuk ka ndryshime të mëdha në perceptimet e qytetarëve për marrëdhënien e pushteteve midis parlamentit dhe qeverisë. Rreth gjysma e të anketuarve ende besojnë se qeveria ka kontroll më të madh mbi parlamentin, megjithëse kjo përqindje ka rënë nga 54% në vitin 2024 në 49% në vitin 2026. Qytetarët perceptojnë se konfrontimi mbizotëron në debatet parlamentare në vend të bashkëpunimit midis qeverisë dhe opozitës.
Sa i përket funksionimit të parlamentit, 42% e të anketuarve vlerësojnë se nuk janë të kënaqur me mënyrën se si parlamenti përbush funksionin e tij në debatet parlamentare.
Mbikëqyrja parlamentare mbetet pak e dukshme për qytetarët. Një përqindje e lartë prej 91% nuk raportojnë asnjë aktivitet mbikëqyrës nga parlamenti gjatë vitit të kaluar, përveç pyetjeve parlamentare.
Gjithsej 74% e qytetarëve të anketuar besojnë se deputetët në parlament gjithmonë përfaqësojnë interesat e tyre personale, ndërsa 66% sugjeruan interesin e rrethit më të ngushtë të udhëheqjes së partisë. Më shumë se gjysma (56%) e të anketuarve zgjodhën komunitetin e biznesit si më të përfaqësuarin nga deputetët, ndërsa perceptimi i vetëm 9% të të anketuarve është se deputetët përfaqësojnë interesat e të gjithë qytetarëve, rritje prej 3% krahasuar me vitin e kaluar. Përgjigjet e tilla tregojnë një perceptim midis qytetarëve se avokimi i interesit publik nga deputetët është relativisht i margjinalizuar në kurriz të interesave të tjera prioritete.
Gjatë anketës 61% e qytetarëve nuk kanë mundur të numërojnë një deputet nga zona zgjedhore.
67% e qytetarëve mendojnë se në debatet parlamentare, deputetët e shumicës parlamentare, aspak nuk marrin parasysh argumentet e opozitës gjatë marrjes së vendime, që paraqet rritje prej 7% në krahasim me vitin e kaluar.
Për 19% të të anketuarve, shumica kryesisht i merr parasysh, ndërsa 7% u përgjigjën se gjatë debateve pushteti merr parasysh plotësisht argumentet e opozitës. Këto të dhëna tregojnë përmirësim prej 1% nga viti i kaluar
Ndër grupet e margjinalizuara, më të përfaqësuarit në parlament janë personat me aftësi të kufizuara me 18% dhe më së paku gratë me 5%.
Në përgjithësi, rezultatet e anketës tregojnë perceptim të qëndrueshëm, por ende kritik të qytetarëve ndaj funksionimit të Parlamentit të Maqedonisë së Veriut. Pavarësisht disa përmirësimeve të lehta në krahasim me vitet e kaluara, besimi në rolin mbikëqyrës dhe përfaqësues të parlamentit mbetet i ulët, ndërsa dominon bindja se institucionet politike vazhdojnë të ndikohen më shumë nga interesat partiake dhe ekzekutive sesa nga interesi publik.
Këto gjetje sugjerojnë hendek të vazhdueshëm mes pritshmërive të qytetarëve dhe funksionimit real të institucionit parlamentar, veçanërisht në aspektin e transparencës, llogaridhënies dhe përfaqësimit efektiv të interesave të qytetarëve.
Ndryshe, disa javë më parë u publikua edhe anketa e “WeBalkans”, ku rezultoi se qytetarët e Maqedonisë së Veriut kanë besim të lartë te Bashkimi Evropian, por mosbesim serioz ndaj sistemit vendor të drejtësisë dhe partive politike. Në kontrast me institucionet vendore, Bashkimi Evropian mbetet aktori ndërkombëtar më i besueshëm. Besimi ndaj BE-së arrin në 79,5%, ndërsa 67% e qytetarëve mbështesin anëtarësimin e vendit në familjen evropiane.
Hulumtimin e plotë mund ta lexoni KËTU.



