Plot 25 vjet, Afeti nga Shkupi zyrtarisht figuron si i vdekur, ndërsa ai është gjallë dhe prej vitesh po zhvillon një betejë të pasuksesshme institucionale për të dëshmuar se merr frymë, edhe pse shteti e ka fshirë prej kohësh.
Grand Kozmetik
Duke mos gjetur rrugëdalje nga labirinti institucional, ai ka kërkuar ndihmë edhe nga Avokati i Popullit.
”Duke vepruar në kuadër të kompetencave të veta kushtetuese dhe ligjore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve, Avokati i Popullit ka vepruar sipas një ankese të dorëzuar më 24.01.2023 nga një qytetar nga Shkupi, i cili për më shumë se shtatë vjet po zhvillon procedura para disa organeve për t’u fshirë nga libri amzë i të vdekurve, ku ishte regjistruar gabimisht pas vdekjes së vëllait të tij binjak jashtë vendit, për shkak të ndërrimit të dokumenteve personale”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit.
Konfuzioni ka lindur kur që në vitin 2001, vëllai binjak i Afetit kishte shkuar në Çeki dhe fshehurazi ia kishte marrë pasaportën. Së shpejti ai kishte ndërruar jetë jashtë vendit, kështu që sipas pasaportës, institucionet kishin regjistruar se ka vdekur Afeti.
Edhe pse ai përmes shenjave të gishtave ka dëshmuar se është Afeti, institucionet ia hedhin topin njëra-tjetrës se kush është kompetent për ta përmirësuar gabimin.
Përgjegjësinë mes vete e bartin Gjykata Civile dhe Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë.
Pingpong institucional: Kush është kompetent?
Gykata Civile: Qytetari ka dorëzuar kërkesë deri te Gjykata Themelore Civile në Shkup për t’u shpallur i gjallë, por gjykata ka sjellë vendim me të cilin është shpallur jokompetente, duke u arsyetuar se një procedurë e tillë nuk është e paraparë me rregulloret ligjore në fuqi. Pas plotfuqishmërisë së vendimit, qytetari është udhëzuar ta zgjidhë çështjen para Drejtorisë për Udhëheqjen e Librave Amzë.
Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë: Nga ana tjetër, Drejtoria e ka udhëzuar qytetarin përsëri në procedurë gjyqësore, duke theksuar se vetëm gjykata është kompetente për të sjellë vendim me të cilin personi do të shpallet i gjallë, pas së cilës Drejtoria do të mund ta anulonte regjistrimin në librin amzë të të vdekurve.
Me këtë bartje të ndërsjellë të kompetencave, pa vepruar në thelb ndaj kërkesës, Avokati i Popullit vlerësoi se po shkelet e drejta elementare për jetë, pasi qytetarit, i cili formalisht është i evidentuar si i vdekur, i pamundësohet realizimi i të drejtave më elementare.
Përkundër ndërhyrjeve të shumta nga Avokati i Popullit, Drejtoria për Udhëheqjen e Librave Amzë ka mbetur në qëndrimin se është jokompetente për tejkalimin e situatës, me çka problemi konkret i qytetarit vazhdon të mbetet i pazgjidhur, alarmon Avokati i Popullit.
Ky bashkëqytetar 48-vjeçar, i cili është njeri familjar, që para shumë vitesh ka duhur t’i lëshohet certifikatë e re e lindjes, e cila i nevojitet për të nxjerrë dokumente të reja personale. Në këtë mënyrë, ai është një i burgosur në shtetin e tij, të cilit nuk i takon asnjë e drejtë. Shteti e ka fshirë gabimisht, por edhe pse gabimi është vërtetuar, nuk dëshiron ta regjistrojë sërish mes të gjallëve!





