Nga Veton Surroi
1. Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit i dhanë mandat LVV-së për të provuar formimin e Qeverisë së radhës, në pajtim me Kushtetutën dhe me vullnetin e shprehur të qytetarëve. Në rast se partnerët e zgjedhur për koalicion janë partitë e disa prej komuniteteve joshumicë, sikundër pas zgjedhjeve të dhjetorit 2025, do të ishte e pritshme që të ketë dakordim të shpejtë për përbërjen e Qeverisë dhe programin qeverisës.
2. Zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit u dhanë njëkohësisht të gjithë deputetëve mandatin dhe përgjegjësinë kushtetuese për pjesëmarrje në procesin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës. Kjo përgjegjësi lidhet me natyrën kushtetuese të funksionit presidencial. Presidenti nuk është bartës i pushtetit ekzekutiv qeveritar; kompetencat e tij/saj janë të veçanta nga ato të Qeverisë. Prandaj është e papërputhshme që zgjedhja e Presidentit të trajtohet si vazhdim i negociatave për programin apo ndarjen e përgjegjësive në Qeverinë e ardhshme.
3. Disa subjekte politike që kanë qenë në opozitë po vendosin kushte për pjesëmarrjen në procesin e zgjedhjes së Presidentit. Por këto kushte duhet të lidhen me funksionin kushtetues të Presidentit dhe jo me kompetenca që Kushtetuta ia jep Qeverisë. Presidenti nuk përcakton politikat energjetike, ndërtimin e autostradave, nivelin e tatimeve apo shpërndarjen buxhetore për komunat. Në sistemin parlamentar të Kosovës këto janë përgjegjësi të Qeverisë , e cila buron nga shumica parlamentare.
4. Asnjë subjekt politik nuk ka mandat që ta zgjedhë i vetëm Presidentin e Republikës; njëkohësisht, asnjë subjekt politik nuk duhet ta përdorë peshën e vet parlamentare për të pamundësuar funksionimin kushtetues të institucioneve. Kushtetuta parasheh që Presidenti të zgjidhet përmes një procesi që kërkon bashkëpunim politik. Ky bashkëpunim duhet të mundësojë integrimin e interesave të zgjedhësve dhe partive politike, duke respektuar njëkohësisht rolin e Presidentit si faktor i unitetit të popullit.
5. Bashkëpunimi politik për zgjedhjen e Presidentit mund të fillojë jo nga ndarja e pushtetit qeveritar, por nga përcaktimi i kritereve për figurat që mund ta përmbushin rolin kushtetues të unitetit të popullit dhe që pastaj i nënshtrohen procedurës së zgjedhjes në Kuvend. Integrimi i interesave të partive politike mund të përfshijë edhe dakordim për një ushtrim më aktiv të kompetencave presidenciale në fushat ku Kushtetuta ia njeh këtë rol Presidentit, duke siguruar që zëri i opozitës të jetë i përfshirë në mënyrë të barabartë në çështjet e interesit shtetëror. (Status facebooku i diplomatit, publicistit e gazetarit Veton Surroi)



