Turqia ka ndaluar ankorimin në portet e saj të një kroçere të organizuar për udhëtarë amerikanë LGBTQ+, duke argumentuar se aktiviteti bie ndesh me “vlerat morale” dhe “vlerat familjare” të vendit. Anija Scarlet Lady, e cila do të nisej më 5 korrik nga Greqia dhe kishte planifikuar ndalesa në Kuşadası dhe Stamboll, do të ndryshojë itinerarin duke u ndalur në Egjipt dhe në ishullin grek të Kretës. Sipas autoriteteve turke, grupi që kishte marrë me qira anijen njihet për sjellje “të papajtueshme me strukturën e shoqërisë”.
Kompania organizatore Atlantis Events e cilësoi vendimin diskriminues dhe të paprecedentë, duke theksuar se në 36 vite aktivitet nuk i ishte ndaluar kurrë hyrja në një vend për shkak të identitetit të pasagjerëve. Në kroçerë pritet të udhëtojnë rreth 1.900 persona, mbi 1.100 prej tyre nga SHBA. Vendimi vjen në një kohë kur qeveria e presidentit Recep Tayyip Erdoğan ka ashpërsuar qëndrimin ndaj komunitetit LGBTQ+, ndërsa marshimet e Pride në Stamboll janë ndaluar prej vitit 2015.



