2 të miturat ushtronin dhunë brutale ndaj bashkëmoshatares, padi penale edhe ndaj prindërve

Policia ka identifikuar dy të miturat e dyshuara për ushtrimin e dhunës brutale ndaj një bashkëmoshatareje në komunën e Aerodromit në Shkup. Pas zbardhjes së plotë të rastit, do të ngrihen kallëzime penale jo vetëm ndaj tyre, por edhe ndaj prindërve të tyre njofton INA.

Rasti u denoncua dje rreth orës 19:30 në SPB Shkup, kur një grua 31-vjeçare raportoi se vajza e saj 12-vjeçare, një natë më parë rreth orës 22:00, ishte viktimë e dhunës fizike dhe psikologjike në një park në komunën e Aerodromit.

Sipas denoncimit, një 14-vjeçare, së bashku me një shoqe të saj, e kanë detyruar në dy raste vajzën 12-vjeçare të ulej në gjunjë dhe t’u kërkonte falje. Kur ajo tentoi të largohej, u sulmua fizikisht nga një tjetër e mitur.

Ngjarja është filmuar me telefona celularë nga disa të mitur që ndodheshin në vendin e ngjarjes, ndërsa njëri prej personave që filmonte ishte i njohur për vajzën e dëmtuar.

Ministria e Punëve të Brendshme njoftoi se gjatë së njëjtës ditë është zhvilluar bisedë zyrtare me dy të miturat në prani të prindërve të tyre. Për rastin janë njoftuar prokurori publik për të mitur dhe Qendra Ndërkomunale për Punë Sociale.

Policia po vazhdon hetimet për identifikimin edhe të të miturve të tjerë që kanë marrë pjesë ose kanë filmuar aktin e dhunës. Pas përfundimit të hetimeve do të ngrihen kallëzime penale për veprat penale “Dhunë” dhe “Neglizhimi dhe keqtrajtimi i të miturit”, në përputhje me dispozitat e Kodit Penal.( INA)