Zelensky: Sulme të reja ukrainase thellë në territorin rus

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka njoftuar se forcat ukrainase kanë kryer sulme të reja shkatërruese në infrastrukturën kyçe ekonomike dhe ushtarake brenda territorit të Rusisë. Sipas tij, armët ukrainase kanë thyer përsëri mbrojtjen ruse dhe kanë goditur objektiva strategjike në një distancë të madhe nga kufiri me Ukrainën.
“Për herë të dytë, sanksionet tona, në përgjigje të zgjatjes së luftës nga Rusia, kanë arritur në rafinerinë e naftës në Ufa, një nga prodhuesit më të mëdhenj rusë të lubrifikantëve. Distanca e këtij objektivi është më shumë se 1,300 kilometra nga vija e frontit”, tha Zelensky, duke i bashkëngjitur publikimit një video që tregon një shpërthim në një uzinë industriale ruse.
Përveç rafinerisë gjigante të naftës në Ufa, dronët dhe raketat ukrainase sulmuan me sukses një tjetër pikë kritike të makinës së luftës së Putinit, këtë herë në rajonin e Penzës.

“Armët tona kanë arritur në një strukturë strategjike të kompleksit ushtarako-industrial rus në rajonin e Penzës. Këto janë uzina që janë të përfshira drejtpërdrejt në zhvillimin dhe prodhimin e komponentëve për armët raketore – të njëjtat që pushtuesit përdorin për të goditur qytetet dhe komunitetet tona çdo ditë”, shpjegoi presidenti ukrainas, duke shtuar se kjo fabrikë ushtarake është rreth 600 kilometra nga vija e frontit.
Zelensky theksoi se Ukraina nuk do të heqë dorë nga strategjia e transferimit të luftës në territorin e agresorit dhe i quajti këto sulme “sanksione afatgjata ukrainase”.

“Plani ynë për të vendosur sanksione afatgjata ndaj Ukrainës po zbatohet çdo ditë. Ky është një përgjigje plotësisht e drejtë ndaj gjithçkaje që Rusia bën kundër nesh. Paqja është e nevojshme dhe kjo është pikërisht ajo që udhëheqja ruse duhet ta kuptojë. Rusia duhet t’i japë fund luftës së saj dhe udhëheqja e tyre ka çdo mundësi për ta bërë këtë. Faleminderit çdo luftëtari ukrainas që siguron precizitetin tonë në distancë të gjatë”, përfundoi Zelensky. /Klankosova.tv