Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ka deklaruar më shumë se 1 miliard dollarë të ardhura nga aktivitetet e tij të biznesit gjatë vitit të kaluar, ku pjesa më e madhe e fitimeve ka ardhur nga investimet dhe sipërmarrjet në fushën e kriptomonedhave. Kjo rezulton nga deklarata e detyrueshme financiare për vitin 2025, e cila përfshin 927 faqe. Sipas raportit, Trump ka deklaruar 635 milionë dollarë të ardhura nga honoraret e monedhës dixhitale “Trump meme coin”, vlera e së cilës ka rënë ndjeshëm që nga lançimi, vetëm pak ditë para se ai të rikthehej në detyrë si president. Ai ka raportuar gjithashtu mbi 500 milionë dollarë të ardhura nga World Liberty Financial, një kompani e kriptomonedhave e themeluar nga djemtë e tij dhe fëmijët e të dërguarit të posaçëm, Steve Witkoff.
Përveç sektorit të kriptomonedhave, Trump ka siguruar të ardhura të konsiderueshme edhe nga bizneset e pasurive të paluajtshme. Ai deklaroi rreth 77 milionë dollarë nga resorti i tij Mar-a-Lago dhe 122 milionë dollarë nga klubi i golfit në Doral, Florida. Mbi 30 milionë dollarë secili kanë gjeneruar edhe klubet e golfit në Bedminster, New Jersey, Jupiter, Florida, si dhe Turnberry në Skoci. Raporti tregon gjithashtu se presidenti amerikan ka përfituar miliona dollarë nga shitja e produkteve me markën “Trump”, duke përfshirë orë dore, Bibla, atlete, parfume dhe kitara. Vetëm nga honoraret e orëve me markën e tij ai ka deklaruar rreth 4.7 milionë dollarë. Të ardhurat e raportuara në deklaratën financiare të vitit 2025 tejkalojnë ndjeshëm ato të vitit të kaluar, kur Trump kishte deklaruar mbi 600 milionë dollarë.
Shtëpia e Bardhë hodhi poshtë pretendimet për konflikt interesi, duke theksuar se bizneset e presidentit janë vendosur në një fond të administruar nga djemtë e tij.
Zëvendëssekretarja për shtyp e Shtëpisë së Bardhë, Anna Kelly, deklaroi se Trump e ka bërë SHBA-në “kryeqytetin botëror të kriptomonedhave” dhe se as ai dhe as familja e tij “nuk kanë qenë dhe nuk do të përfshihen në konflikte interesi”. Ajo shtoi se të gjitha vendimet e administratës merren në interesin më të mirë të qytetarëve amerikanë. Trump ka deklaruar më herët se nuk i nënshtrohet ligjeve federale për konfliktin e interesit. Ai kishte qenë dikur kritik i kriptomonedhave, duke e cilësuar Bitcoin si një “mashtrim” dhe një “katastrofë që priste të ndodhte”, por deklarata e fundit financiare tregon se pikërisht ky sektor është bërë burimi kryesor i të ardhurave të tij.
/rtsh.al/



