“E duan Shqipërinë shesh për horrllëk e pisllëk”, Rama: Korbat dhe sorrat do dështojnë

Kryeministri Edi Rama ka reaguar sërish në rrjetet sociale lidhur me protestat që po zhvillohen në kryeqytet, duke shpërndarë edhe një video të gazetarit Shpend Gashi.

Në reagimin e tij, kreu i qeverisë ka ndarë pjesëmarrësit në dy kategori, duke përdorur simbole metaforike për të përshkruar qëndrimet ndaj protestës.

“Flamingot dhe sorrat me korbat i ndan pikërisht hendeku që ndan paqen me dhunën. Të parët duan që Shqipëria të jetë më e mirë, më e drejtë, më e pastër, ndërsa të dytët e duan Shqipërinë shesh për horrllëk, dhunë dhe pisllëk”, shkruan Rama.

Ai shton se sipas tij, një pjesë e protestuesve kërkon një shoqëri më të qetë dhe konstruktive, ndërsa një tjetër grup synon tension dhe përplasje.

“Flamingot do ta kenë atë që kërkojnë, ndërsa dështakëzemërakët e kores së zezë të kësaj proteste do të marrin atë që meritojnë, sorrat dhe korbat”, vijon më tej reagimi i kryeministrit.