Qarkullimi në rrugët shtetërore zhvillohet pa pengesa dhe në rrugë të thata. Intensiteti i trafikut jashtë zonave urbane është mesatar. Në pikat kufitare nga ana e Maqedonisë nuk ka pritje të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi, njofton LAMM në raportin e mëngjesit për gjendjen e rrugëve.
LAMM rekomandon përshtatjen e shpejtësisë së lëvizjes, respektimin e sinjalistikës rrugore dhe drejtimin me kujdes të automjeteve, veçanërisht në rrugët që kalojnë nëpër lugina, gryka lumenjsh dhe kanione, ku ekziston mundësia e rënies së gurëve. Kjo vlen sidomos për segmentet Katllanovë – Veles, Mavrovë – Dibër – Strugë, Vinicë – Berovë dhe Koçan – Dellçevë.
Nga nesër deri më 31 gusht, në rrugët shtetërore do të zbatohet regjimi veror i trafikut, me të cilin ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda të mallrave me masë totale mbi 15 tonë gjatë fundjavave dhe në ditët me temperatura jashtëzakonisht të larta.
Orari i ndalimit është:
E premte: nga ora 17:00 deri në 22:00;
E shtunë: nga ora 09:00 deri në 18:00;
E diel: nga ora 09:00 deri në 22:00.
Në ditët me temperatura ekstreme, të përcaktuara nga Ministria e Shëndetësisë, ndalimi do të vlejë edhe nga e hëna deri të enjten, në periudhën 11:00–17:00.
Ky kufizim nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, grurë dhe kultura drithërore, mallra që prishen shpejt, naftë dhe derivate të saj, materiale të rrezikshme, si dhe për automjetet e kompanive që kanë kontrata për realizimin e projekteve në rrugët shtetërore me Ndërmarrjen Publike për Rrugët Shtetërore.
Sipas LAMM, në rrugën magjistrale A2, në aksin Shkup – Ohër – Shkup (me vlefshmëri deri më 1 shtator), ndalohet qarkullimi i automjeteve të rënda me masë mbi 7.5 tonë gjatë fundjavave, sipas këtij orari:
E premte: 15:00–22:00;
E shtunë: 07:00–12:00 dhe 18:00–24:00;
E diel: 07:00–22:00.
“Ky regjim i veçantë i trafikut vendoset gjatë sezonit veror për të shmangur bllokimet në aksin drejt destinacionit më të vizituar turistik në Maqedoninë e Veriut, për të ulur pritjet në pikat e pagesës së rrugës dhe për të mundësuar qarkullim më të shpejtë të automjeteve dhe lëvizje të papenguar të turistëve. Kufizimi nuk vlen për automjetet që transportojnë kafshë të gjalla, lule, ndihmë humanitare, grurë dhe kultura drithërore, si dhe mallra që prishen shpejt”, thuhet në njoftimin e LAMM.



